Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se satelitët Albania 1 dhe Albania 2 do i vijnë në ndihmë policisë së shtetit me informacione periodike dhe imazhe nga zona të caktuara.
Ai u shpreh se personeli që do të bëjë leximin e imazheve të satelitëve do të jetë më i mirëpaguari në Shqipëri, duke e konsideruar një vlerë të shtuar dhe kursim parash në buxhetin e shtetit.
“Është rritur eficenca, reagimi. Ka edhe individë të caktuar që detyrën shtetërore nuk e bëjnë si duhet. Ju siguroj që satelitët do të jenë një mjet i rëndësishëm për t’u përdorur nga institucione si policia e shtetit sepse do të japin informacion, madje periodik sepse mund të porositet që një zonë e caktuar të monitorohet çdo ditë për një muaj.
Erozioni, përmbytjet, shtratin e lumenjve nëse monitorohen me imazhe satelitore mund të jenë baza për të ndërtuar politika dhe për kursyer shumë para. Kur investon në teknologji janë për të kursyer. Është kursim kohe dhe energjish. Kemi një agjenci të informacionit gjeo hapësinor me kapacitetet njerëzore të mirë trajnuara. Do të kenë rol për të përpunuar imazhet satelitore të satelitëve dhe dronëve.
Po shtojnë stafin dhe po bëhen pjesë të përjashtimeve të trajtimit me pagë për personelin IT. Do të jenë më të mirëpaguarit në të gjithë republikën e Shqipërisë. Kjo kategori do të jetë e mirëpaguar, do të shtohen në numër. Jam i sigurt që do të jenë një vlerë e shtuar dhe kursim parash për buxhetin e shtetit”, deklaroi Peleshi.