MENU
klinika

Analiza

Preç Zogaj: Opozita plurale si mundësi për të mundur qeverinë

17.01.2023 - 19:54

Analisti Preç Zogaj ka komentuar situatën politike në vend dhe atë brenda Partisë Demokratike dhe opozitës në mënyrë specifike.

Ai ka analizuar edhe mundësitë që kjo opozitë ka për të mundur mazhorancën në zgjedhje.

Reagimi i plotë:

Partia Demokratike u nda në dy pjesë që në momentin kur Sali Berisha ndërmori Lëvizjen e tij të Foltores për shkarkimin e Lulzim Bashës rreth një vit e gjysmë me parë.

 

 

Ngjarjet që kanë ndodhur në vijim kanë ndikuar drejtpërsëdrejti madhësinë e secilës pjesë. Ajo e Berishës, gjithnjë në sulm dhe në veprim aktiv, ka qenë dhe është më e madhe. Pjesa tjetër, le ta quajmë Basha-Alibej, çuditërisht në asimetri veprimi në raport me Foltoren, ka qenë dhe është më e vogël. Por përcaktuese në ndërtimin eventual të një koalicioni fitues të qendrës së djathtë.

Në vartësi të zhvillimeve të reja, qartësisë që sjell koha dhe motivimit të lojtarëve politikë, pjesët do të kenë edhe në të ardhmen ulje dhe ngritje të ndërsjella, si dy enë që mbesin komunikuese sa i takon historisë, anëtarësisë dhe votuesve besnikë. Ndërkaq ndarja e tyre mbetet politikisht e qartë, jo fluide.

Ndarja ka në themel raportin e secilës pjesë me SHBA-në dhe Perëndimin në tërësi. Pra thelbësisht është një ndarje për orientimin, aleancat, integrimin. Grupi “Basha-Alibej” ka vlerësuar se vendimi amerikan kundër Berishës është një qëndrim institucional i pjekur në kohë nga një administratë në tjetrën, në formimin e të cilit kanë marrë pjesë disa Departamente dhe Agjenci. Mbi këtë bazë ky grup ka vlerësuar se Partia Demokratike e Shqipërisë mund të rritet, të fitojë zgjedhjet dhe të qeverisë me sukses, duke qenë në marrëdhënie të ngushta me SHBA-në dhe BE-në. Grupi tjetër, i motivuar kryesisht nga lëndimi i zotit Berisha dhe nga narrativa e tij subjektive për sanksionimin, ka vlerësuar se PD mund të jetë e suksesshme edhe nëse liderin e saj nuk e takon asnjë përfaqësues zyrtar i SHBA-ve dhe vendeve të tjera perëndimore. Mjaft të jetë Berisha. Kuvendet respektive që kanë zhvilluar në datat 11 dhe 18 dhjetor 2021 i kanë zyrtarizuar dhe vulosur këto vlerësime.

Nga ajo kohë nuk kanë ndodhur ngjarje të reja që do të çonin në rishqyrtimin e motivit politik themelor të ndarjes. Në të kundërtën, SHBA-ve u është bashkuar Britania e Madhe, ligjvënësit amerikanë kanë ndërmarrë një nismë bipartizane për shndërrimin në ligj të saksionimeve, eksponentë të Partisë Popullore Europiane kanë bërë paralajmërimet e tyre të njohura.

Dihet se edhe Berisha me mbështetësit e tij deklarohen se janë proamerikanë, probritanikë, proeuropianë. Kjo është një gjë pozitive dhe s’ka përse ngrihet pyetja; a e thonë për konjukturë apo për bindje. Unë e marr të mirëqenë se shumica prej tyre e kanë bindje. Por siç thotë shprehja e njohur, tangoja kërcehet dyshe. Nuk mjafton të dojë vetëm një palë, duhet të duan të dyja palët. Këtu edhe dallimi tjetër mes palëve në PD. Ajo euroatlantike mendon se paralajmërimet e SHBA-së nuk kanë e nuk do të kenë marrëdhënie me subjekte të drejtuara nga individë të sanksionuar janë të qarta; është thjesht naivitet të besosh të kundërtën, të eksperimentosh me rrezikun. Pala e Foltores ecën drejt takimit me momentin e së vërtetës me “bëjë o Zot ëndërr”. Ëndërr u bëftë, por si çdo ëndërr, jo të gjithë e besojnë e duhet ta besojnë.

Realisht kemi dy opozita nga e njëjta parti. Bashkë me Partinë e Lirisë të Ilir Metës bëhen tri. Ky është një realitet që ka anët e veta pozitive. Më pozitive se të kemi një parti unike me tipare të kazermës, siç po bëhet PS në pushtet. Ekzistenca e një opozite plurale rrok një spektër më të gjerë ndjeshmërish, bindjesh, orientimesh, qasjesh, historish, shijes gjithashtu. E kemi parë së fundi në Italinë fqinje. Qendra e djathtë përbëhet nga tri parti, “Vellezërit e Italisë”, “Lega Nord” dhe “Forca Italia”. Ka edhe ndonjë më të vogël. Shuma e votave që mblodhi secila i bëri fituese të zgjedhjeve politike të para pak muajve. Për analogji, opozita në Shqipëri mund të bëhet fituese vetëm nëse të tre grupimet politike që e përbëjnë do të rriten në vetvete duke forcuar identitetin përkatës, aksionin politik, shtrirjen në terren.

Nisur nga arsyet specifike të ndarjes së PD-së, unë mendoj se bashkimi mekanik apo bashkimi si absorbim i pjesës “Alibej” nga pjesa e Berishës nuk e rrit PD-në. Ose e rrit shumë pak.

PD, edhe pa u përçarë i janë dashur rreth njëqind mijë vota më shumë për t’u siguruar në qeverisjen e vendit. Kjo rezervë votash gjendet tek zgjedhësit e parreshtuar, të cilët ndërsa e kanë ndarë mendjen të mos votojnë PS-në në pushtet, kanë qenë dhe mbeten skeptikë ndaj një PD-je të pareformuar si ajo e zgjedhjeve të vitit 2021. Pragmatikisht, edhe po të mos kishte ndodhur për arsyet që përmenden, ndarja duhej të ishte shpikur a provokuar në kuptimin e krijimit të një forcë të re opozitare me një identitet të qartë euroatlantik që ti referohej se ardhmes në vizion, në sjellje, në ligjërim, në etikë, në program, në ekipe dhe lidership.

Sondazhet e muajve të fundit kanë treguar se grupi i Berishës nuk shkon përtej një caku që është ai i vetë liderit. Grupi që i ka letrat në rregull për t’u rritur është ai i PD-së zyrtare që drejtohet nga Alibeaj. Natyrisht, kredencialet kanë nevojë për potenciale, projekt, aktivitet politik të dendur e efikas. Rritja e këtij grupi është në interesin e gjithë opozitës, është interes publik. Një qasje kësisoj sugjeron pushimin e luftës brenda për brenda spektrit opozitar, njohjen reciproke të palëve si subjekte të ndryshme me identitete të dallueshme, kërkimin e rrugëve të bashkëpunimit elektoral brenda hapësirave që mundëson kodi zgjedhor, por edhe përtej tij. Kështu rriten realisht shanset për të mundur qeverinë e Ramës./Liberale.al