MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

Evropa duhet të bëjë më shumë për Ballkanin Perëndimor

09.01.2023 - 09:00

Në fillim të dhjetorit, zyrtarët e Bashkimit Evropian u nisën drejt Shqipërisë për një moment simbolik.

Samiti i fundit BE-Ballkani Perëndimor, i mbajtur në Tiranë, ishte i pari që u mbajt në një rajon, popullsitë e të cilit kryesisht dëshirojnë t’i përkasin BE-së, por kanë filluar të dyshojnë se do t’i përkasin ndonjëherë.

Samiti – së bashku me masat konkrete si përfshirja në programin Erasmus të BE-së – shkoi mirë.

“Gjërat po ndryshojnë,” vuri në dukje kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në përfundim të samitit, ndërsa liderët e tjerë përshëndetën “një mentalitet të ri”.

Disa javë më vonë, Bosnje-Hercegovinës iu dha statusi i vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE.

Gjendja aktuale nuk është e vështirë të shpjegohet. Teksa lodhja nga zgjerimi i BE-së u rrit ndjeshëm gjatë viteve të fundit, Ballkani Perëndimor – dhe tensionet e tij në dukje të pazgjidhshme e të pazgjidhura – ranë shumë poshtë listës së shqetësimeve gjeopolitike të Evropës.

Por lufta në Ukrainë ka marrë vëmendjen në Bruksel, pasi Rusia kërkon të zgjerojë ndikimin e saj në rajon ‘në kurriz’ të BE-së dhe NATO-s dhe përdor paqëndrueshmërinë politike në avantazhin e saj.

Ky fokus i ripërtërirë perëndimor është shumë i nevojshëm, por, duke pasur parasysh kontekstin, nuk mjaftojnë fjalët ‘r ngrohta’. Muajin e kaluar, mosmarrëveshjet lokale çuan në ngritjen e barrikadave për një kohë të shkurtër në pjesën më veriore të Kosovës, e cila është kryesisht me shumicë serbe. Marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit – i cili gëzon mbështetjen e Kremlinit dhe refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës – duket se janë më keq se kurr% gjatë 20 viteve të fundit.

Kapaciteti i BE-së për të ndërmjetësuar është i ndërlikuar nga varësia e Serbisë nga gazi rus dhe refuzimi i Beogradit për të vendosur sanksione ndaj Moskës.

Por nëse marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 nuk zbatohet përfundimisht këtë vit – që lidh autonominë politike për serbët e Kosovës me një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve – rreziku i konfliktit të afërt është real.

Po të ndodhte kjo, pasojat do të ishin serioze, edhe në aspektin e një krize të re refugjatësh.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, situata është gjithashtu e zymtë.

Moska mbështet axhendën secesioniste të liderit nacionalist serb të Bosnjës, Milorad Dodik. Në të njëjtën kohë, Kremlini mbështet nacionalistët kroatë të Bosnjës, të cilët janë po aq të vendosur për të rrënjosur dhe thelluar ndarjet etnike të sanksionuara në kushtetutën e Dejtonit të vendit.

Përfaqësuesi i lartë gjerman i emëruar për të mbikëqyrur kushtetutën, Christian Schmidt, duket se bashkëpunon me këtë axhendë, duke ndryshuar në mënyrë të diskutueshme ligjet zgjedhore pas mbylljes së votimeve kombëtare në tetor. Kjo është marrë si një shenjë nga shumë boshnjakë se perëndimi ka hequr dorë nga ideja që vendi të bëhet ndonjëherë një demokraci normale dhe e unifikuar.

Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë, samiti relativisht optimist i Tiranës pasoi një periudhë zhgënjimi në rritje, ndërsa negociatat për anëtarësimin në BE ‘ngecnin’.

Duke pasur parasysh aksionet gjeopolitike dhe ndikimin në rritje të investimeve kineze në rajon, BE-ja duhet të përmirësojë lojën e saj.

Suksesi i partive anti-emigracion, islamofobike në vende të tilla si Franca dhe Holanda do të thotë se zgjerimi në lindje është jorealist për të ardhmen e parashikueshme. Në Serbi, mbështetja popullore për anëtarësim ka rënë nën 50%, pasi Beogradi refuzon t’i bashkohet sanksioneve evropiane ndaj Rusisë. Por BE-ja ende mund të ushtrojë ndikim, si dhe të bëjë gjënë e duhur duke i kthyer pas vitet e neglizhencës.

Pas anëtarësimit, duhet të ofrohet shumë më tepër në drejtim të ndihmës ekonomike dhe akses më të madh në tregun e BE-së.

Në këmbim të përparimit në çështje të tilla si korrupsioni, sundimi i ligjit dhe shprehja e lirë, një qasje vërtet e angazhuar mund të gjenerojë vullnetin e mirë të nevojshëm për të zbutur tensionet rajonale dhe për të mbështetur vlerat demokratike.

Alternativa e papëlqyeshme është lejimi i një rajoni jetik strategjik që të shikojë nga lindja po aq sa perëndimi, duke fuqizuar forcat joliberale etno-nacionaliste dhe duke avancuar axhendën e Kremlinit në oborrin mbrapa të Evropës.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al