Banorët e Bërxullës kanë përshkallëzuar dje protestën e tyre ku kërkojnë shpronësimin sipas vlerës së tregut për tokat e tyre që preken nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar.
Të gjendur përballë heshtjes dhe mosreagimit të institucioneve për zgjidhjen e problemit të tyre prej disa muajsh, banorët i kanë bërë thirrje Kryeministrit Edi Rama që të marrë seriozisht kërkesat e tyre për shpronësim të drejtë pasi ata nuk do ndalen së kërkuari të drejtat e tyre.
Banorët protestues janë përplasur me Policinë dhe disa prej tyre kanë hipur në një shtyllë tensioni të lartë nga ku kërcënuan se do hidhen. Protesta për drejtësi për pak sa nuk përfundoi në tragjedi, pasi dy prej protestuesve qëndruan për mbi 1 orën lart në shtyllë. Por, pas më shumë se një orë negociatash, banorët pranuan të zbresin, por deklaruan se nuk do ndalojnë këtu. U desh ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës që ka bërë të mundur uljen e tyre poshtë përmes mjeteve të posaçme. Banorët kërkojnë takim me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, pasi kanë protestuar prej javësh duke kërkuar dëmshpërblim me vlerën e tregut, për pronat e tyre që preken nga projekti në fjalë.
“U bindëm të zbresim sepse kemi fëmijë. Shpresojmë që Kryeministri Edi Rama ta marrë seriozisht protestën dhe kërkesat tona. Ne nuk frenohemi këtu. Siç kemi thënë, ne këtë pronë do e mbrojmë me gjak. Nuk po cenojmë njeri, jemi me certifikatë pronësie. I kemi të gjitha dokumentet sipas ligjeve që këta kanë krijuar. Por ligjet nuk zbatohen për ne. Ne nuk do ta lëshojmë kurrë pronën tonë. Kemi tre muaj që protestojmë dhe nuk kemi marrë asnjë zgjidhje. Nuk ka transparencë në shpronësime”, deklaruan banorët, të cilët bënë të ditur se nuk kanë frikë nga askush dhe janë gatshëm ta mbrojnë pronën deri në vetëflijim.
“Na thonë toka është arë. Kush e vendos? Unë kam lindur këtu dhe sot jam 63 vjeçe, as Edi Rama dhe Belinda Balluku nuk janë në moshë sa unë. Ky shtet qenka vetëm për të vjedhur për vete. Po ku jemi ne? Të na thonë kujt shteti t’i drejtohemi? Nuk jemi duke shkuar në Europë, por në gropë”, tha një protestuese. Kjo është e disata herë që banorët protestojnë për të kërkuar dëmshpërblim për tokat e tyre ndërsa ato kanë rënë në veshin e shurdhët të institucioneve qendrore dhe qeverisë.
PROCEDURA E SHPRONËSIMIT
Banorët e Bërxullës kundërshtojnë projektin, procedurën dhe çmimin e vendosur nga qeveria së bashku me kompaninë që do të ndërtojë aksin Thumanë-Kashar. Sipas dokumenteve, banorët do të shpronësohen 400 lekë për metër katror pa marrë parasysh se cila është vlera reale e truallit në treg. Për banorët, shpronësimi i një metri me një litër vaj luledielli është i papranueshme dhe tallës me ata dhe investimet që kanë bërë prej vitesh në tokën e tyre.
Ata shprehen se shteti po u merr tokën pa marrë parasysh te drejtat e tyre si pronarë edhe pse zotërojnë dokumentet e pronësisë në të cilat janë pronarë legjitimë. Projekti prek 70 familje, ndërsa asnjë institucion nuk ka reaguar pas protestave të njëpasnjëshme dhe t’u shpjegojë procedurën e shpronësimit dhe të ofrojnë një zgjidhje të problemit të tyre, por ia kanë shtuar atë me telefonata kërcënuese për të firmosur dhe pranuar çmimin e vendosur të tokës së tyre. Sipas një vendimi, qeveria shqiptare për të shmangur përgjegjësinë nga vetja, në marrëveshje me koncesionarin, kompaninë “Gener 2”, ia ka lënë asaj në dorë dhe detyrë shpronësimin. Për shkak të parashikimeve ligjore, kompania ka vendosur të mos rrisë shpenzimet për shpronësime, si plan për të garantuar të ardhurat e tij deri në fund të koncesionet.