MENU
klinika

Pastruesja i ‘pastroi’ shtëpinë nga paratë

Prokuroria do verifikojë ligjshmërinë e eurove që iu vodhën zyrtares së lartë

09.01.2023 - 19:37

Denoncimi për vjedhjen e një vlere të madhe monetare në banesë, që zyrtarja e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Alda Klosi – ish-shefja e kabinetit e ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, kreu në polici, duket se do të sjellë verifikimin e ligjshmërisë së burimit të qindra mijëra eurove e dollarëve që ajo ka deklaruar se i kishte pasur gjendje cash në shtëpi. Ende nuk ka një procedim penal të regjistruar, por Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë pohon se do të hetojë në të ardhmen edhe në këtë drejtim.

Policia e Tiranës njoftoi të dielën më 8 janar 2023 përmbylljen e operacionit të koduar “Inside” dhe bëri me dije se në banesën e shtetasve Rozeta dhe Havier Dobi, nënë e bir, ishin gjetur dhe sekuestruar 404 mijë e 800 euro, 8500 dollarë dhe akesesorë floriri, që dyshohej se ishin vjedhur në një banesë në “Rrugën e Kosovarëve” në Tiranë. Megjithëse policia nuk bëri me dije personin ndaj të cilit ishte kryer vjedhja, u mësua se bëhej fjalë për Alda Klosin, ish-shefen e kabinetit të ish-Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave.

E paqatë vijon të mbetet ende se cila ka qenë vlera monetare reale që është vjedhur në shtëpinë e Klosit. Sipas të dhënave që BIRN disponon, zyrtarja Alda Klosi ka deklaruar para hetuesve se ka pasur në shtëpi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, si dhe disa bizhuteri që i janë vjedhur. Ndërsa Rozeta Dobi e cila akuzohet si ideatorja dhe personi që realizoi vjedhjen, ka deklaruar se ka marrë nga banesa e Klosit gjithë shumën e parave që i ka sekuestruar policia në shtëpi, në total 462 mijë e 950 euro, 15 mijë e 500 dollarë dhe 368 mijë lekë.

Hetimi i Prokurorisë së Tiranës deri tanimë është fokusuar vetëm në vjedhjen e parave dhe sendeve me vlerë në shtëpinë e Klosit, duke gjetur si përgjegjës Rozeta e Havier Dobin. Organet hetimit nuk kanë filluar ende një hetim për ligjshmërinë e parave që Klosi deklaron se ka disponuar në banesë para se t’i vidheshin.

E pyetur nga BIRN, zëdhënësja e Prokurorisë së Tiranës, Miga Xhafa, shpjegoi se objekt i hetimit do të jetë edhe ligjshmëria e burimit të vlerës së deklaruar nga Klosi. Gjatë një komunikimi telefonik, Xhafa pohoi se do verifikohet nëse Klosi arrin të justifikojë me burime të ligjshme vlerën 120 mijë euro dhe 30 mijë USD, që ajo vetë ka deklaruar se e zotëronte cash në shtëpi dhe që i është vjedhur.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK që ka kompetencë për të hetuar pasuritë e pajistifikuara në kuadër të ligjit të ashtëquajtur “Antimafia”, sqaroi për BIRN se nuk ka ende të regjistruar një procedim penal apo pasuror lidhur me ligjshmërinë e burimit të krijimit të shumave të mëdha të disponuara cash në shtëpi nga Klosi.

“[…]Në Prokurorinë e Posaçme nuk ka një material referues nga policia gjyqësore, në lidhje me fillimin e një procedimi penal apo verifikim pasuror në lidhje me këtë fakt penal. Sa i takon regjistrimit kryesisht të procedimit penal apo pasuror Prokuroria e Posaçme është e vëmendshme për të administruar dhe analizuar të gjitha informacionet publike ose jo, kompetencë që e ushtron në vazhdimësi (përfshi edhe faktin penal për të cilin kërkoni informacion). Gjithashtu, me sa jemi në dijeni ky fakt penal hetohet nga Prokuroria pranë Gjykatë së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka detyrimin që në çdo moment që konstaton elementë të veprave penale në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme, […], të bëjë menjëherë kalimin e akteve të hetimit”, ju përgjigj SPAK pyetjeve që BIRN i drejtoi.

Paqartësia për shumën reale të vjedhur në shtëpinë e Klosit, është bërë edhe pjesë e mbrojtjes së dy të ndaluarve. Përfaqësuesi ligjor i Rozeta dhe Havier Dobit, avokati Artan Gjermëni pohoi të hënën gjatë një komunikimi telefonik për BIRN se nuk kishin pasur ndonjë pretendim lidhur me dyshimin e arsyeshëm të prokurorisë për kryerjen e vjedhjes së parave, por ai këmbënguli se masa e sigurimit personal ndaj të mbrojturve prej tij duhet të ishte caktuar vetëm për shumën e deklaruar nga Klosi.

Ai pranoi se e përfaqësuara prej tij kishte deklaruar në momentet e para se e gjithë vlera që i është gjetur e sekuestruar në shtëpi ishte vjedhur në banesën e Klosit, por sipas tij, duhej që të merrej për bazë deklarimi i të dëmtuarës se ishin marrë vetëm 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë. Gjermëni shtoi se i ndaluari tjetër, Havier Dobi vuan nga astma dhe e ka të vështirë qëndrimin në qeli. Sipas Gjermënit, edhe gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë paraditen e të hënës, Dobi e mundësonte frymëmarrjen me një pompë që përdoret nga pacientët që vuajnë prej astmës. Ai tha se kishte kërkuar që gjykata të caktonte masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, me mbikqyrje elektronike.

Ndërsa prokurorja Mirela. Çano Zavalani kërkoi vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të dy të arrestuarit, që u gjet e drejtë dhe nga gjyqtari Arben Micko.

Në kërkesën e prokurorisë për vleftësimin e masës së sigurisë, sqarohet se policia është njoftuar nga Klosi për vjedhjen e banesës së saj më 15 dhjetor 2022. Ajo ka sqaruar se prej rreth dy muajve kishte marrë me qira një banesë në “Rrugën e Kosovarëve”, ku jetonte së bashku me të bijën. Sipas Klosit, paraditen e 15 dhjetorit ka shkuar në zyrë tek Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare dhe rreth orës 14.00 atë e ka telefonuar vajza e saj, e cila i ka komunikuar se dera e banesës ishte e hapur, ndërkohë që në dhomën e gjumit të gjitha rrobat e dollapit kanë qenë të hedhura mbi krevat dhe në dysheme.

Klosi ka sqaruar se pas kontrollit ka konstatuar se i mungonin më shumë se 120 mijë euro që kanë qenë prerje pesëqindëshe dhe dyqindëshe, si dhe një shumë prej 30 mijë dollarë të cilat kanë qenë prerje njëqindëshe. Ajo ka pretenduar se ato para i kishte të xhaxhait dhe të bashkëshortes së tij, që i kishin lënë për të kompletuar për shtëpinë e tyre dhe për nevoja shëndetësore, pasi vëllait i të atit ishte i sëmurë me kancer. Sipas saj, familja e xhaxhait jeton në Amerikë dhe i ka mbledhur ato para ndër vite.

Po ashtu, Klosi ka deklaruar se zotëronte katër unaza floriri njëra prej të cilave me tre gurë diamanti; vathë të ndryshme; varëse floriri; si dhe një çantë e një portofol, të dyja të markës Valentino. Ajo ka ngritur dyshime se autorja e vjedhjes mund të kishte qenë pastruesja Rozeta Bido.

Ndërkohë, nga kontrolli i ushtruar fillimisht në banesën e familjes Bido janë gjetur dhe sekuestruar 58 mijë e 150 euro; 7000 dollarë; 368 mijë lekë; 10 byzylykë me ngjyrë floriri ose argjendi; 19 varëse me ngjyre floriri ose argjendi, disa prej të cilave më gurë; 60 vëthë disa prej të cilëve në ngjyrë floriri ose argjendi; dy orë dore me ngjyrë flori të markës Maserati dhe Armitron; disa tesha; si dhe çanta e portofoli, të markës Valentino.

Nisur nga dyshimet se në banesën e familjes Dobi fshiheshin edhe sende të tjera është ushtruar nga policia kontroll i imtësishëm dhe në vijim, në tubin e aspirimit janë gjetur të fshehura një shumë prej 404 mijë e 800 euro dhe 8500 USD.

Po ashtu, janë sekuestruar edhe tre automjete të tipit Mercedes Benz që dyshohet se Havier Dobi i ka blerë me paratë e vjedhura, si dhe disa aparate telefoni të lëvizshëm.

Prokuroria ngre dyshimet se shumat dhe sendet e gjetura mund t’u përkasin edhe personave të tjerë ku e ndaluara Rozeta Dobi ka punuar si pastruese./birn

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vodhën 530 mijë euro në vilat luksoze në Tiranë

Gjykata lë në burg pastruesen dhe djalin e saj

Ish-zyrtares iu grabitën 120 mijë Euro nga pastruesja

Në hetim origjina e parave të Alda Klosit


Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”