MENU
klinika

"Nuk jam penduar për videon"

“Pse i ofenduat shqiptarët?”/ Ministri britanik dhe gazetari përplasen live

18.01.2023 - 14:08

Gazetari dhe spikeri britanik Nick Ferrari dhe ministri për Emigracionin Robert Jenrick përplasen gjatë një interviste live për gjuhën e përdorur prej tij ndaj shqiptarëve.

“Një incident diplomatik është shkaktuar nga publikimi i një videoje promovuese nga ministria që vlerëson ata që kanë gjetur dhe kanë ndaluar emigrantët e paligjshëm nga Shqipëria. Nick Ferrari dhe Ministri Robert Jenrick, i cili publikoi videon, patën një përplasje të ashpër në emisionin e mëngjesit të Nick”, shkruan “LBC“.

Robert Jenrick iu drejtua spikerit: “Nuk jam penduar për videon, por mendoj se është e rëndësishme që të punojmë në mënyrë konstruktive me qeverinë shqiptare ashtu siç jemi duke bërë në të vërtetë.”

Nick e pyeti: “Çfarë është konstruktive?”

“Dua të kemi marrëdhënien më produktive që mundemi me qeverinë shqiptare”, u përgjigj ministri.

“Epo pse i keni ofenduar atëherë?” iu përgjigj Nick.

Ministri Jenrick tha: “Ajo që ne duhet të jemi në gjendje të dallojmë është emigrantët shqiptarë në këtë vend, të cilët ne i respektojmë dhe dëshirojmë të punojmë sa më afër që të mundemi – shtetasit britanikë që janë me origjinë shqiptare, ata që zgjedhin të vijnë këtu legalisht. …dhe ata që vijnë këtu ilegalisht me gomone. Është absolutisht e drejtë që qeveria ka një qëndrim shumë të fortë për këtë dhe është një fokus i veçantë i kryeministrit dhe i imi për të reduktuar fenomenin që pamë vitin e kaluar që ishte një numër shumë i madh i shqiptarëve që erdhën ilegalisht… Shqipëria është një vend i sigurt!”.

Kujtojmë se ministri britanik, Robert Jenrick, me ane te nje postimi ne Twitter tha se po punojne për te larguar emigrantët e paligjshëm shqiptare.

“Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë dhe shkelësit e shtetasve të huaj. Dje vizitova një qendër imigracioni për të parë fluturimet tona javore për në Shqipëri dhe për të falënderuar stafin për punën e tyre vendimtare për të zbatuar kufijtë tanë dhe për të na mbajtur të sigurt.

Të gjejnë shqiptarët, t’i ndalojnë ata, t’i çojnë në aeroport dhe t’i kthejnë në Tiranë. Jo vetëm këta emigrantët e paligjshëm por edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë”, u shpreh ai në një video të publikuar më 13 janar.

Pas kësaj deklarate, Ministria e Jashtme e Shqipërisë i është drejtuar me një note proteste Britanisë së Madhe, e cila iu dorëzua ambasadorit Alastair King Smith. Në këtë notë verbale, ministria e Jashtme e Shqipërisë kërkon që të shmanget gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"E tronditur për gjuhën për disa vota të mjerueshme"

Ministrja Xhaçka reagon për deklaratat e ministrit britanik

Gjuha e përdorur nga ministri britanik

Shqipëria notë proteste Britani së Madhe