MENU
klinika

Artur Ajazi

Pse opozita ka shumë pasardhës të diktaturës?

05.01.2023 - 12:36

Mjafton të bësh një “shikim rreshtor” të atyre që kanë mbushur zyrat dhe kanë marrë poste dhe ofiqe në rradhët e Partisë Demokratike, dhe do të bindesh sa shumë pasardhës të sistemit ish-komunist ka sot në rradhët e opozitës. Ka mes tyre, duke nisur nga ish-komunistë të thekur, pasardhës të ish-shkruesve të veprave të Enver Hoxhës dhe fjalimeve të Ramiz Alisë, ka mes tyre pasardhës të ish-anëtarëve të KQPPSH, pasardhës të ish-anëtarëve të Byrosë Politike, ish-ministrave të komunizmit, ish-servilë të byroistëve, apo dhe ish-sigurimsave. Natyrisht, nuk harrojmë se edhe kryetari de facto i PD, ka qenë komunist. Dhe kjo shpurë kaq e madhe, që ka mbushur sot Partinë Demokratike, na bën leksione “lirie, demokracie, antikorrupsioni, patriotizmash” etj…

Kjo shpurë kaq e madhe parazitësh, që ka mbi 30 vjet që nuk ngopet me para pushteti dhe pazaresh korruptive, na bën sot leksione “zgjedhjesh të lira dhe të ndershme”. Kjo shpurë kaq e madhe llafollogësh, sot ka marrë peng Partinë Demokratike, edhe pse ka 30 vjet që mban peng të ardhmen e vendit. Sot kjo opozitë, kaq e kapur, kaq e mbushur me pasardhës ish-komunistësh, byroistësh, apo ish-zyrtarësh të lartë të PPSH, që bënë hasha përfitimet e 45 viteve, na hiqen si “proamerikanë, proeuropianë, prolirisë, dhe demokratë”, madje kërkojnë rikthimin në pushtet edhe pse u larguan me mbi 1 milion vota popullore prej tij.

Kjo ndoshta mbetet edhe arsyeja e vetme pse kjo PD, dhe kjo opozitë që ajo pretendon se përfaqëson, nuk ribashkohet, nuk rinovohet, nuk pranohet prej ndërkombëtarëve, dhe se sërish do të ndëshkohet me votën e lirë të shqiptarëve. Ata duket sikur kanë gjetur njëri-tjetrin, duket sikur i ka bashkuar “ish-ideali i të parëve”. Mes tyre do të gjesh bij ish-komunistësh me poste të larta në 45 vite, bij ish-ambasadorësh që ishin gati të hidheshin në zjarr për Enver Hoxhën, dhe sot na janë konvertuar në “demokratë dhe proamerikanë”.

Në fakt në Shqipëri, demokracia (nqs quhet e tillë ajo që erdhi pas 1990) dhe ndryshimi i sistemit, nuk u shoqërua me lëvizje rradikale antikomuniste. Dhe nuk kishte se si të ndoshte ndryshe, kur në korridorin e një ambasade, kur po pyesnin njëri-tjetrin dy ish-anëtarë të KQPPSH, se “cilin duhet të gjejmë për të marrë kreun e PD”, para tyre kaloi pikërisht ish-lideri historik.Ky ishte emri i duhur, që ata nxituan t’ja propozonin Ramiz Alisë, duke e bindur këtë të fundit të pranojë, pasi “ishte njeriu i tyre”. Pas kësaj, nis dhe historia e gjatë e njeriut “që përmbysi diktaturën”, dhe që sot pretendon se “unë që solla demokracinë, duhet dhe ta mbroj atë”.

Sa hipokrizi u serviren akoma shqiptarëve,dhe sa neveri ndjejnë sot ata që e përjetuan atë periudhë ndryshimesh politike, që në fakt duhej të shkruhej krejt ndryshe. Ndaj kjo opozitë nuk arrin të jetë sot bindëse, motivuese, frymëdhënëse dhe shpresëmadhe, pasi drejtohet në grup, nga ata që dikur kanë qenë në pushtet, dhe sot kërkojnë akoma pushtet për xhepat, klanet dhe mbijetesën e tyre politike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN