MENU
klinika

Vendimi i qeverisë

Rafineria e naftës në Ballsh do kthehet në një park fotovoltaik

12.01.2023 - 20:24

Këshilli i Ministrave vendosi të mërkurën ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën ku ka qenë rafineria e Ballshit, pas ç’montimit të saj për skrap nga kompania “Shijaku”.

Vendimi parashikon ndërtimin e një “centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse nga shoqëria “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”.

“Greennat Solar Park Ballsh” është në pronësinë e kompanisë “Shijaku” të biznesmenit Shpëtim Shijaku, i cili e bleu rafinerinë për 9 milionë euro me qëllim çmontimin dhe shkrirjen e saj për hekur skrap.

Dhënia e së drejtës për ndërtimin e centralit është bërë pa garë, ndërsa në vendim saktësohet se ndërtimi i centralit të ri “nuk është objekt koncensioni” dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.

Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi do të jetë brenda 60 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa afati i operimit të centralit është dhënë për 49 vite.

Qeveria ka parashikuar që e drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike “mund të transferohet te një subjekt i tretë” si dhe ka caktuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si përgjegjëse për lidhjen e kontratës dhe për zbatimin e saj.

Sipas parashikimit të VKM-së, shteti do të përfitojë “falas, në formë royalty sasinë e energjisë elektrike, në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare”.

Pas disa përpjekjeve pa sukses për ta rivënë në punë, Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh u shit për skrap, duke lënë pas një mal me borxhe dhe të ardhura të mungura për autoritetet vendore dhe naftëtarët.

Vendimi i çmontimit të rafinerisë erdhi pas vitesh keqmenaxhimi dhe borxheve të krijuara nga kompania ARMO, që solli ekzekutimin e kombinatit në Ballshit si kolateral.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Punëtori: Janë 10,000 euro që duhet të marr...

BIRN: Shkatërrimi i rafinerisë së Ballshit

"Rrezikohet një Gërdec i dytë"

Fier/ Alarm në uzinën e Ballshit