MENU
klinika

"I shërben BDI-së"

Refuzoi festën e Ramës, kreu i Lëvizjes Besa zbulon arsyet:

10.01.2023 - 12:54

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, zbuloi arsyet pse ai refuzoi ftesën e kryeministrit Edi Rama, për të qenë prezent në takimin që do mbahet në Tiranë bashkë me krerët e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për Euroneës Albania, Kasami tha se darka e thirrur nga kryeministri i shërben vetëm interesave të BDI-së së Ali Ahmetit.

“Duke pasur parasysh turbulencat brenda BDI-së, ku tani hapur një grup i të rebeluarve funksionarë të lartë të partisë, nga kryetari i Këshillit Mbikqyrës, nënkryetari i partisë, deputetë e kryetar komunash kanë dalë hapur kundër ekzekutivit, ministrave të kësaj qeverie, të cilët edhe ata i vlerësojnë si të dështuar, në këtë situatë më së shumti i shërben BDI-së defokusimi i situatës nga dështimi i saj në qeveri në drejtim të thirrjes së bërë nga Rama për këtë darkë të thirrur për sonte,”-u shpreh ai.

Gjithashtu, ai shtoi se BDI nuk është e interesuar për avancimin e çështjeve shqiptare, madje është e interesuar që të mos përparojnë.

“Sot është e njohur në Maqedoninë e Veriut se BDI qëndron në qeveri vetëm për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin dhe në asnjë moment nuk është e interesuar për avancimin e çështjeve shqiptare. Maqedonasit e kanë kuptuar se disa çështje i zgjidhin më mirë në interes të tyre duke pasur ministra dhe funksionarë shqiptarë dhe në këtë mënyrëe tolerojnë që gjysma e qeverisë të jetë me funksionarë shqiptarë, por që çështjet shqiptare të mos përparojnë,”-shtoi ai.

Kryeministri Edi Rama ka ftuar sonte në Tiranë, lideret politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Ftesa u është drejtuar të gjithë kryetarëve të partive politike që janë të përfaqesuara në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe konkretisht, Bashkimit Demokratik per Integrim, Aleanca për Shqiptaret, Alternativa, Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare. Deri më tani, zyrarisht nuk dihet se cili është qëllimi i këtij takimi, por mendohet se ka lidhje me ndryshimet kushtetuese që ka kërkuar Bullgaria për Maqedoninë e Veriut. Por çështja ka nisur përplasje në Shkup, pasi opozita maqedonase ka deklaruar se nuk do ta votojë ndryshime të tilla dhe kërkon zgjedhje të parakohshme në maj të këtij viti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


BDI-ja e Ali Ahmetit pranon humbjen

Partia BESA fiton zgjedhjet në Tetovë