MENU
klinika

Protesta e 21 janarit

Rihapja e hetimeve për dy vrasjet pa autor përplas organin e hetimit me Policinë

24.01.2023 - 11:31

Fiks 12 vite pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në bulevard, ku në një protestë të opozitës së atëhershme, pozitë sot, u vranë katër protestues, prokuroritë shtyhen të hapin hetime.

Ngjarja për të cilën flitet vetëm çdo 21 janar, kohë kur në Kryeministri vijnë familjarët e viktimave, ka ende të pazbardhur autorët e dy vrasjeve, ashtu siç janë pa përgjigje edhe shumë pyetje-fakte për të cilat nuk u fol asnjëherë më, që prej asaj proteste të dhunshme dhe të përgjakshme. Ditën e djeshme është bërë me dije se Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar policisë së Tiranës të gjejë materialet për të cilat flitet që ekzistojnë dhe nuk janë dorëzuar.

Bëhet fjalë për një audo-regjistrim, të cilin organi i hetimit e kërkon nga vetë Policia e Tiranës. Sipas të dhënave bëhet me dije se në fakt, Prokuroria i ka lënë Policisë së Tiranës prej më shumë se dy vitesh një sërë detyrash që lidhen me hedhjen dritë mbi autorët e vrasjeve të Nikës dhe Dedës, njëri nga Lezha e tjetri nga Dibra, për të cilët nuk është bërë e mundur të gjendet autori që iu mori jetën.

ÇËSHTJA NË PROKURORI
Prokuroria ia pasoi “topin” Policisë së Tiranës për dosjen e “21 janarit”, duke theksuar se materialet janë dërguar në Policinë e Tiranës prej vitit 2021 për zbardhjen e ngjarjes. Pas njoftimit të Ulsi Manjës për kallëzim në SPAK, Prokuroria tha se tashmë ka urdhëruar nisjen e verifikimeve për audio-regjistrimin e publikuar ditët e fundit. Prokuroria e Tiranës reagoi me një deklaratë pak minuta pas deklaratës të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja në lidhje më kallëzimin në SPAK për “21 janarin”.

Në deklaratë theksohet se hetuesit tashmë janë ngarkuar për të verifikuar audio-përgjimin, i cili është bërë publik në media ditët e fundit. Por prokuroria e Tiranës sqaron se në datën 18 prill 2012, është vendosur ndarja e procedimit penal dhe dërgimi për gjykim në Gjykatë i materialeve për të pandehurit Ndrea Predi i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtaj dhe të pandehurit tjetër Agim Llupo i akuzuar vrasjen Hekuran Dedës e Ziver Veizit, si dhe plagosjen e 3 personave të tjerë. Prokuroria thotë se nga ana e policisë gjyqësore u kryen të gjithë veprimet e nevojshme hetimore, por nuk u bë e mundur që të identifikohet se cilët janë personat që kanë vrarë shtetasit Aleks Nika dhe Hekuran Deda.

Për këto dy ngjarje, gjykata shpalli të pafajshëm gardistin Agim Llupo. Në këto kushte, kur janë kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore dhe autori i veprës penale nuk njihet, dhe me vendim të datës 28 shkurt 2020, prej Prokurorëve të çështjes është vendosur që hetimet të pezullohen duke i kaluar aktet për ndjekje të mëtejshme në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Në vitin 2021 është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit Aleks Nika dhe Hekuran Deda.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ngjarja e 21 janarit 2011

11 vjet nga protesta e 21 janarit