Marrëveshja me vlerë një miliardë euro gjatë shtatë viteve me të cilën Cristiano Ronaldo është lidhur me Al Nassr-in do të çonte vetëm në një përfundim: ai është futbollisti më i pasur në botë! Epo,kjo nuk është e vërtetë.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë mund të mos e dijë se futbollisti i vërtetë më i pasur në planet nuk është ai vetë. Ky është Faiq Bolkiah, 24-vjeçari anësor i majtë që luan për Chonburi FC në Tajlandë. Pasuria e tij personale llogaritet në rreth 20 miliardë euro!
Në bazë të informacioneve, Bolkiah është nipi i Sulltanit të Bruneit. I kaluar nëpër skuadrat e të rinjve të klubeve të ndryshme në Angli (Southampton, Chelsea, Leicester City), Faiq kishte përvojë edhe në Portugali me Maritimon. Gjithsesi, në tokën portugeze, lojtari nuk luajti asnjëherë në skuadrën e parë.
“Më vjen keq që jam transferuar në Portugali. Mendoj se më kanë blerë vetëm për arsye politike!”, rrëfente Bolkiah. Me pak fjalë, Bolkiah nuk ia doli në futbollin e emrave të mëdhenj dhe karriera e tij vazhdoi në Tajlandë ku luan aktualisht.