Serbia ndodhet në një pozicion shumë të vështirë. SHBA-BE mund të pezullojë dhënien e ndihmës financiare, e cila do të ishte fundi i investimeve të ardhshme dhe të mëparshme. Dhe mund të jetë shumë më keq: fundi i udhëtimit pa viza në BE, i cili është i mundur që nga viti 2009, dhe mund të ketë një pezullim të asistencës së madhe para anëtarësimit të BE-së nga fondet IPA, si dhe heqjen të statusit kandidat. Por çfarë kërkon Perëndimi për Serbinë? BE dhe SHBA ndjekin katër qëllime të politikës së jashtme në marrëdhëniet e tyre me Serbinë: Të parandalojnë ndikimin e Rusisë, të parandalojnë ndikimin e Kinës, të normalizojnë marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës dhe të mbrojnë sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës. Siç thuhet në tekstin e autorit të publikuar në faqen e Këshillit Evropian të Punëve të Jashtme, nën titullin “Si të vrasim katër zogj me një gur”, pak është arritur në këto fusha me kalimin e viteve. Shtohet se këtë e shpjegojnë disa arsye, disa prej të cilave ndodhen në Serbi, e disa në kryeqytetet perëndimore.
Problemet për Serbinë
Deri më tani, Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe nuk ka shenja se kjo do të ndryshojë. Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkim, Serbia duhet të respektojë politikën e jashtme të BE-së dhe megjithatë, shkalla e pajtueshmërisë ra në vetëm 45 për qind, krahasuar me 64 për qind në vitin 2020. Ndikimi i Kinës në Serbi është rritur ndjeshëm, i forcuar nga investimet, prania kineze në projektet e infrastrukturës, si dhe nga lidhjet politike dhe kulturore midis dy vendeve. Beogradi gjithashtu vazhdon të mbështesë Milorad Dodik, presidentin e Republikës Srpska, veprimet dhe retorika e të cilit kërcënojnë të shkatërrojnë qeverinë në nivelin e të gjithë Bosnjës dhe Hercegovinës. Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, pavarësisht vëmendjes që po merr propozimi franko-gjerman, duket se një zgjidhje e qëndrueshme e përhershme është ende shumë larg. Më 23 janar, Vuçiç mbajti një fjalim televiziv që zgjati një orë e gjysmë, gjatë të cilit dha shumë arsye për të dyshuar se do të marrë pjesë në atë proces. Presidenti serb ka ndërtuar një imazh të Perëndimit si një armik dhe e portretizon veten si dikush që lufton heroikisht për të mos i nënshtruar presionit perëndimor për të respektuar sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe për të bërë lëshime në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës, thuhet në tekst.
Ndërhyrja e Moskës
Ky tregim është përforcuar nga stacionet televizive ruse që operojnë në Serbi, si Rusia Sot (e ndaluar në BE), e cila filloi të funksionojë në Serbi në nëntor 2022, ndërsa Sputnik ka qenë prezent për më gjatë. Menjëherë pas takimit të javës së kaluar të Vuçiçit me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së në lidhje me propozimin franko-gjerman, Sputnik transmetoi fjalimin e Vuçiçit për publikun, në të cilin ai deklaroi se ishte krenar që Serbia i rezistoi presionit për t’iu bashkuar sanksioneve evropiane kundër Rusisë. Nuk është e qartë nëse Brukseli dhe Uashingtoni janë të vetëdijshëm për të gjitha këto, thekson autori.
Roli i Perëndimit
Investimet e BE-së nuk po zvogëlohen pavarësisht mospërputhjes së Serbisë me politikën e jashtme të Brukselit. Gjithashtu, qendrat e pushtetit si Uashingtoni dhe Berlini mund të reagojnë më ashpër ndaj propagandës së brendshme antiperëndimore të Vuçiqit. Për shembull, ata mund të ndalojnë takimin me të sa herë që vizitojnë rajonin, pasi burime të shumta pohojnë se lënia e Vuçiçit jashtë do të ndryshonte sjelljen e tij. Ajo që nevojitet gjithashtu është dobësimi i sistemit që lidh zyrtarët shtetërorë me rrjetet kriminale, qoftë në Serbi, qoftë në veri të Kosovës, në BeH apo Mal të Zi. Prishja e këtyre lidhjeve do të shkaktonte një “efekt domino” në rajon, ku lidhjet midis shtetit dhe krimit shpesh fshihen pas politikave destabilizuese nacionaliste. Perëndimi duhet të jenë të vetëdijshëm se një qeveri jotransparente ofron një mjedis ideal për Rusinë dhe Kinën për të përhapur më lehtë ndikimin e tyre. Kjo është arsyeja pse vendosja e shtetit ligjor në Serbi dhe në rajon është e një rëndësie kyçe për parandalimin e Moskës dhe Pekinit të “operojnë” në Ballkanin Perëndimor dhe për dobësimin e rrjeteve nacionaliste-kriminale të ndikimit në rajon.