Ekspozita “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve evropianë të shekullit XIX”, vazhdon të jetë e hapur në sallën e ekspozitave në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar.
Ekspozita përmban 45 riprodhime të tablove, ku shqiptarët hynë gjerësisht në tablotë e piktorëve të huaj veçanërisht në vitet e para të shekullit XIX. Pas Revolucionit francez e sidomos pas fitores së Revolucionit grek, një sërë artistësh, shkrimtarësh, historianësh dhe arkeologësh, por në veçanti piktorët francezë, anglezë, italianë, gjermanë dhe zviceranë trajtuan temën shqiptare. Shqiptarët u shfaqën në tablotë e tyre me profile e karaktere të ndryshme: herë në pozicione luftarake e herë në pamje të qeta meditimi, apo portrete të lira, ku secili nga piktorët ka shprehur origjinalitetin dhe stilin e tij piktural. Në gjithë imazhet e punuara nga piktorët e shekullit XIX, ajo që bie në sy është një lloj vitaliteti i karaktereve dhe kostumeve tradicionale shqiptare. Këto karaktere nuk janë krijuar thjesht nga imagjinata, por nga një pikëtakim i drejtpërdrejtë i tyre me këta personazhe.
Këto tablo janë një pjesë e asaj krijimtarie të madhe të piktorëve evropianë të shekullit XIX, të cilët, krahas ekzotizmit përmes figurave, kompozimeve dhe ngjyrave dhanë edhe dramacitetin, tragjizmin apo atë lirizëm të pakët që mund të ekzistonte në atmosferën e rëndë të një pushtimi perandorak. Përveç kësaj, këta piktorë mundësuan që gjeneratat e sotme të kenë mundësinë të shikojnë si figura reale tipin shqiptar gjatë atij shekulli dhe dramën që ngjizte ai në vetvete. Nuk do të mund t’i imagjinonim ashtu siç duhej figurat e suljotëve pa parë pikturat e Louis Dupré, apo pikturat e J. L. Gérôme, mishërimin e luftës së Marko Boçarit në tablotë e Delacroix, fytyrën e së resë shqiptare tek Corot, etj.
Përmes tablove të piktorëve europianë të shekullit XIX rikrijohet jeta e shqiptarëve në trojet e tyre dhe përtej kufijve, në rrugëtimet e gjata të historisë.