Nata e ndërrimit të viteve i ka gjetur qytetet më të mëdha në vend me sheshet të mbushura me njerëz në mënyrë që të shijonin spektaklin e fishekzjarrëve.
Berati është një nga ato qytete ku qindra qytetarë janë grumbulluar në sheshet e rrugët e qytetit, duke u argëtuar dhe duke shijuar festën. Sapo ora shënoi 00:00,që shënoi edhe ardhjen e vitit 2023,i gjithë qielli u mbulua nga fishekzjarre të panumërta të hedhur jo vetëm nga bashkia por edhe nga qytetarët.
Ishte një spektakët i vërtetë fishekzjarresh, që ndriçoi qiellin beratas për rreth 20 minuta.Në rrugët e qytetit kishte forca të shtuara policie të cilët ishin në gatishmëri për të garantuar qarkullimin normal në rrugët e Beratit, por edhe për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Një tjetër qytet me një atmosferë të ngjashme ishte Fieri, ku dukej se organizimi kishte tejkaluar vitet e mëparshme. Dhjetëra qytetarë mbushën sheshin qendror te qytetit dhe kur ora shënoi 00:00 qielli u ndez nga fishekzjarret shumëngjyrëshe. Në gatishmëri në sheshin e qytetit kanë qenë ekipi i urgjencës së spitalit rajonal Fier, zjarrfikësja e patrulla policore.
Fishekzjarret kane ndriçuar qiellin për disa minuta, ndërsa pjesa më e madhe e bareve e restoranteve kanë ofruar muzike live e shërbim pa ndërprerje.
Një atmosferë festive dhe spektakël fishekzjarrësh ka dhuruar edhe Pogradeci, Korça e Durrësi.