MENU
klinika

Transferohen mijëra dosje në kryeqytet

Të gjitha gjykatat e Apelit bashkohen në një të vetme!

31.01.2023 - 12:50

Në Gjykatat e Apelit ka nisur puna për transferimin e dosjeve dhe stafeve drejt Tiranës. Bazuar në hartën e re gjyqësore, prej datës 1 shkurt do të mbyllet Apeli i Shkodrës, Vlorës, Durrësit, Korçës dhe Gjirokastrës. Kreu i dhomës së avokatisë në Vlorë, Durim Bajramaj tha se qytetarëve do t’u duhen shumë vite për të marrë drejtësi, pasi ka ende pa shqyrtuar dosje të 2017-ës.

Në total nga gjykata e Apelit të Vlorës transferohen në Tiranë 4234 dosje nga të cilat 2981 çështje civile dhe 1253 çështje penale. Ndërsa në godinën aktuale të Gjykatës do qëndrojnë hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët. Në një komunikim të Report Tv me kryetarin e Gjykatës së Apelit Shkodër Fuat Vjerdha mësojmë se vendimi ka ardhur i formës së prerë nga KLGJ dhe tashmë seancat gjyqësore do të zhvillohen në Tiranë. Ndërsa në godinën e Apelit Shkodër, e ndërtuar vitet e fundit do jetë vetëm një sportel me 3 punonjës. Administrata do vendoset në shërbim te Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër ndërsa një pjesë e vogël e stafit mund të mbetet pa punë. Transferimi i dosjeve dhe gjyqtareve ka nisur dhe nga Gjykatat e Apelit në Durrës, Korçë e Gjirokastër. Kësisoj në rrethe mbetet vetëm një staf i reduktuar i administratës për apelimin e çështjeve të shkallës së parë, ndërsa të gjitha seancat do të zhvillohen në Tiranë. Nga gjykata e Apelit të Gjirokastrës do të transferohen 600 dosje, nga ai i Korçës 937 dosje dhe nga Shkodra 3959 dosje.

Shorti
Por me hartën e re gjyqësore, të gjitha çështjet të cilat nuk kanë asnjë datë për gjykim në apel, do të hidhen edhe një herë në short, për të caktuar gjyqtarët që do t’i shqyrtojnë. Gazeta “SOT” ka mësuar se janë 32 mijë dosje të cilave nuk u ka nisur ende gjykimi në gjykatat e Apeleve në Tiranë apo në rrethe, mes të cilave është edhe ajo e ankimimit që Partia Demokratike e Alibeajt i ka bërë vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri që i dha vulën e partisë Sali Berishës. Këto dosje pa datë për seancën e parë, do të rihidhen në short në datat 1 dhe 2 shkurt, kur nis funksionim harta e re gjyqësore, e cila parashikon vetëm një gjykatë Apeli e Juridiksionit të Përgjithshëm që do të jetë në Tiranë, në ambientet e godinës aktuale në kryeqytet. Çështjet që ka filluar shqyrtimi nuk do rishortohen, ndërsa dosjet që nuk kanë një datë gjykimi do të hidhet një short elektronik”, thotë kancelarja e gjykatës së Apelit Tiranë Lertita Balili. Ajo thotë se fillimisht do jenë 25 gjyqtarë, nga 78 që është organika por në krah të tyre do jenë edhe ndihmës ligjorë. Për gjyqtarët që do të vijnë nga rrethet, janë siguruar zyrat e nevojshme. Balili sqaron se pavarësisht se gjykimi i çështjeve do të zhvillohet në Tiranë, gjykatat të cilat do të shkrihen do të vijojnë të funksionojnë shërbimet për qytetarët “Do të ketë zyrë shërbimi me 3 nëpunës civilë gjyqësorë. Pra kërkesat depozitohen në këto zyra shërbimi”, tha Lertita Balili, kancelare e Apelit Tiranë. Për të gjithë qytetarët me pyetje të ngjashme, se çfarë do të ndodhë me çështjet e tyre, gjykata ka vënë në dispozicion një adresë e-mail dhe një numër telefoni. “Në zyrat e shërbimit do të merret edhe informacione për çdo shqetësim”, nënvizoi Balili.

Çfarë ka ndodhur?
Qeveria shqiptare ka miratuar hartën e re gjyqësore e cila shkrin 18 gjykata në rang vendi dhe pritet të nis implementimin duke filluar nga 1 shkurti. Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar. Ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë. Madje harta e re gjyqësore e cila u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, hasi ne kundërshtimet e avokatëve, të cilët bojkotuan për disa javë edhe seancat. Harta e re do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative. KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, nga 5 gjykata Administrative do jenë në vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa nga 22 që ishin, me hartën e re, nga 1 shkurti do të jenë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë.