Trupat e Kfor-it janë në terren në veri të Kosovës, e po zhvillojnë atje operacione inxhinierike siç thuhet ne deklaratën e lëshuar prej misionit të NATO-s atje, për të hequr automjetet që vazhdojnë të mbajnë disa rrugë të bllokuara në zonë.
Për 20 ditë me radhë, në rrugët e katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi, u vendosën barrikada, duke bllokuar kështu qarkullimin e duke ngjallur frikën e një përshkallëzimi të rrezikshëm të situatës, që në çdo moment mund të dilte nga kontrolli.
Barrikadat u ngritën në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, Dejan Pantic, i cili dyshohej si organizator i sulmit ndaj zyrave lokale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Serbët vendosën të tërhiqen më në fund pasi Dejan Panticit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak. Po ashtu, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, gjatë një takimi në Rashkë të Serbisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në 28 dhjetor deklaruan se kanë marrë garanci që kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin. Një ditë më vonë, në zonën e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicën Veriore, u dogjën disa kamionë.
KFOR sqaroi në njoftimin e tij se operacioni për largimin e automjeteve të bllokuara në rrugë po bëhet për të rikthyer lirinë e lëvizjes.