MENU
klinika

Dosja-2022!

Viti që hapi ‘Kutinë e Pandorës’, masakrat për nder e gjakmarrje dhe një zhdukje pa gjurmë

02.01.2023 - 17:47

Fishekazjarret shpërthyen! Me ose pa to, tavolina u shtrua, gotat u trokitën dhe numri dy ia la vendin treshit, por me një pirg dosjesh të pazbardhura.

Masakra e Don Boskos

Viti nisi me një atentat ‘qorr’. 35-vjeçari Erion Çela mbeti i vdekur, ndërsa Arben Dani 46 vjeç, Azbi Selimaj 19 vjeç, Blerim Çela 28 vjeç si dhe Edmond Crroj 41 vjeç mbetën të plagosur si pasojë e një atentati mafioz që ndodhi pasditen e 4 janarit në ‘Don Bosko’. Viktima e të plagosurit ishin të ulur në barin me emrin “Fokus”, kur një person zbrazi kallashnikovin nga brenda një makine që ndali shpejtësinë para derës së lokalit. 19-vjeçari i plagosur ishte kamarieri i lokalit, por po aq të pafajshëm sa ai, ishin edhe të tjerët. Kjo pasi atentati synonte nipat e Erion Hasanbellit, gjë që u zbulua me arrestimin e dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqirajt. Të dy, zbërthyen ‘klanin’ që merrte urdhra nga Kasandër Noga, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në Belgjikë dhe çuan në pranga 14 persona. Përplasja e Nogës me Hasanbellin është e njohur që nga ‘masakra e Sanatoriumit’ dhe vijon ende. Noga solli në Shqipëri ‘killerin’ e tij të besuar Kevin Suçi (Zeneli), të cilit i la në ngarkim eliminimin e nipave të Hasanbellit, por 23-vjeçari gaboi dhe vrau Çelën. Dosja nuk ka ende autor, pasi Suçi ka humbur gjurmët dhe nuk është arrestuar ende.

Xhuliana u vra në sy të vajzës së mitur

Xhuliana Topalli i kishte dhënë fund lidhjes me Niko Hilën, babain e vajzës së saj vetëm 4 vjeçe, por 50-vjeçari nuk pranonte ta linte të qetë.

Më 9 janar 2022 Xhuliana Topalli u kthye tek prindërit e saj, në Nënfshat të Vaut të Dejës në Shkodër, por Hila u paraqit në oborr me kallshnikov. Ai i mori jetën Xhulianës me breshëri plumbash në sy të vajzës e babait të saj invalid, por më pas tentoi të vriste dhe veten, Hila u dërgua në spital, ku dhe u vu në pranga. Ky krim zbardhi gjithashtu konfliktet e dyshes që vinin nga fakti që Hila kërkonte kujdesarinë e të bijë, por Xhuliana nuk e lejonte ta shihte. Asnjë masë, fshati ziente nga sherret mes tyre, drejtësia heshtte…

Janari s’mbyllet pa dy gra të vrara

Mbarështimi i bagëtive solli një vrasjë në Kuçovë. Fatime Suli i kishte mbetur 60 mijë lekë borxh Fetah Marrës, pasi ky i fundit i kishte huazuar demin për lopët. Borxhi s’u kthye dhe më 20 janar, Marra hodhi në kanal Sulin dhe e mbyti. Gruaja u gjet gjysmë e zhveshur në kanal dhe e mbuluar me gjethe, një horror që tmerroi vendin. Vetë Marra pranoi se gjithçka kishte ardhur prej borxhit.

Zbatohet kanuni, Floriani s’e harron që u rrit jetim

24 janari tregoi dhe njëherë se kanuni është më i fortë se ligji. Të paktën për 17-vjeçarin Florian Përvathi. I riu u rrit jetim pasi kur ishte vetëm 4 vjeç, Ndue Lekëgjonaj i vrau babanë, Gjon Përvathi, pasi i kishte bllokuar rrugën. 2009, me motivin se i kishte bllokuar rrugën. Pasi kreu vrasjen, Lekgjonaj u vetëdorzua në Polici, duke pranuar edhe plagosjen e dy personave të tjerë po në të njëjtën ngjarje. Lekgjonaj, teksa tentonte që të largohej nga skena e krimit, kishte aksidentuar edhe djalin e madh të viktimës e të afërmin e tyre, por fatmirësisht kësaj here pa i kushtuar jetën. Megjithatë drama në jetën e 4-vjeçarit (asokohe) nuk përfundoi këtu. Në gjendje të rënduar psikologjike, nëna e 17-vjeçarit, Martine Përvathi vendosi që të ndërmerrte një akt të rëndë duke i thënë fund jetës, po të njëjtën ditë me vrasjen e të shoqit, pasi mendoi se edhe i biri kishte ndërruar jetë. Duke lënë kështu jetimë 4 fëmijë. “Ata hanë dhe e ti ha bukë”, ishte një fjali që ishte regjistruar si çekan në kokën e djalit që u rrit pa familja, pa strehë dhe duke u përpasur sa në një derë në tjetrën. Ai priti dhe 13 vite më vonë, mori hakun e të atti. Siç e do kanuni, adoleshenti u dorëzua dhe pranoi krimin. Nderin e kishte vënë në vend dhe tashmë duhet të paguante çmimin, të cilin e pranoi me një buzëqeshje, siç përshëndeti familjarët nga dera e gjykatës. S’ka pendesë….

Divorci sjell dy viktima në Lezhë

Krimi i rëndë ndodhi rreth mesnatës të së hënës më datë 29 gusht në fshatin Gryk Zezë të Lezhës. 45-vjeçari Besnik Pjetri priti që ish-vjehrri dhe ish-kunati, përkatësisht Pjetër dhe Gentian Perjaku të kthehen në banesë dhe i qëlloi me breshëri plumbash. Babë e bir ishin kthyer nga Italia ku jetonin prej shumë vitesh, pasi kishin pasur një dasmë në vendlindje, te disa të afërm dhe ish-dhëndri ishte informuar e i kishte ndjekur lëvizjet e objektivave të tyre. Shkak ishin bërë sherret e vazhdueshme që Pjetri kishte me ish-bashkëshorten dhe familjen e saj. Ai kishte 2 vajza me ish-bashkëshorten me të cilën kishte 6 vite që ishte divorcuar, por familja e saj nuk e lejonin t’i takonte.

Valdete Mamaj vritet nga bashkëshorti, Petriti sajoi skenën e vetëflijimit

Valdete Mamaj u vra nga bashkëshorti i saj! 50-vjeçarja nga Fieri u lajmërua se ishte gjetur e pajetë mëngjesin e sotëm në banesën e saj nga bashkëshorti, Petrit Mamaj. Autori që ka pranuar edhe vrasjen përgatiti gjithë skemën për të vrarë dhe më pas për t’ja hedhur “paq” me ligjin.

“Vra veten me thikë, s’e di pse,”– tha ai kur telefonoi policinë, por s’ishte kaq e thjeshtë për të. Ekspertët dolën në përfundimin se ishte vrasje, pasi viktima kishte disa goditje në zemër. Është e pamundur që në tentativë për vetëvrasje, dikush të qëllojë veten disa herë me thikë në zemër. I vënë para provave të pakundërshtueshme, Petrit Mamaj pranoi vrasjen e bashkëshortes së tij, duke pretenduar se të gjithën e kishte bërë për xhelozi, pasi besonte që e shoqja e tradhëtonte.

Altin Alikaj u vra, autorët helmuan dhe qentë

Më 19 shkurt, Altin Alikaj u gjet i vrarë në shtëpi, tetë ditë pasi ishte shpallur I zhdukur nga familja e tij. I riu u gjet brenda në banesë, me një plumb në shpatull. Për të mbajtur gjithçka të fshehtë, autorët kishin helmuar dhe qetë e fqinjëve dhe kishin kryer gjithçka! Ditë më vonë u arrestuan Shazi Ahmetaj, 23 vjeç banues në Kolonjë, Lushnjë si dhe shokut i tij Mateo Kiptiu, 30 vjeç, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorin për tu fshehur, duke i siguruar një mjet të marrë me qira për lëvizjen e tij. Shkaku mbetet i paqartë. Viktima njihej si përdorues i drogës dhe nuk përjashtohet as fakti se viktima mund t’i ketë pasur borxh autorit, ç’ka ka çuar në përplasje mes tyre. Një tjetër pistë mbetet ajo e grabitjes së viktimës.

Atentati që hapi ‘kutinë e Pandorës’

Në Papër të Elbasanit mbrëmjen e 28 marsit, Nuredin Dumani dhe Talo Çela, ish-miqtë e kthyer në armiq, u përballën për t’i dhënë plumbin e fundit njëri-tjetrit, por e vetmja gjë që ndodhi, ishte plagosja e Dumanit. Talo u zhduk si gjithmonë, ndërsa tentativa e Dumanit për të kuruar plagën që i shkaktoi plumbi në shtyllën kurrizore, e çoi pas hekurave. Dumani vendosi të flasë para SPAK dhe të rrëfejë krimet që kanë tronditur vendin dekadën e fundit, ku hodhi dritë mbi ekzekutime mafioze në Elbasan, Durrës, Tiranë Shkodër, Belgjikë e jo vetëm. Dumani foli dhe u organizua operacioni ‘Plumbi i artë’, por ai qëndroi shkëlqimi deri në fund? Ky është një tjetër shkrim që mund ta lexoni më të plotë (KËTU).

Radhën e ka Tirana

Rrugëtimi për në shtëpi i Iljaz Calit, do të ishte i fundit për më 4 Prill 2022. Pa mbërritur në destinacion, një breshëri plumbash i mori jetën të riut në autostratën Tiranë-Durrës. Autorët u larguan pa lënë gjurmë, ndërsa pas lanë trupin e Calit jashtë mjetit. I riu ndërrroi jetë në tentativë për tu larguar ndërsa brenda makinës u gjet sufllaqja që kishte blerë me porosi të vogëlushit të tij. Cali me herët kishte qenë i arrestuar për kultivim kanabisi, ndërsa dëshmitë e familjarëve zbardhën konfliktet që kishte biznesmeni i kromit në lidhje me galeritë. Por, a ka autor kjo ngjarje? Jo!

Vrasja e Bandulës

Nazmi Bandula, 55 vjeç, banues në lagjen ‘Rus’ të Shkodrës dhe një person me një të shkuar kriminale është ekzekutuar me armë zjarri më 12 prill. Pa e mbaruar kafenë, një mjet i llojit “Mercedes Benz”, me ngjyrë të bardhë uli shpejtësinë para lokalit ku ndodhej Bandula dhe personi që ndodhi brenda tij qëlloi me breshëri plumbash drejt 55-vjeçarit. Nazmi Bandula nuk ishte i panjohur. Ai dyshohet se është përfshirë në trafikimin e vajzave, prostituimin e tyre dhe përfshirje në ngjarje kriminale e atentate që kanë tronditur Shkodrën kohët e fundit, dhe jo vetëm. Kjo për shkak se jeta e 55-vjeçarit ishte e ndarë mes kryeqendrës së Veriut e Elbasanit. ‘Fijet’ që e lidhnin me këtë të fundit, nuk janë zbardhur ende, por as në Elbasan nuk mungon veprimtaria e grupeve kriminale. Nazmi Bandula dyshohet të jetë përfshirë në një vrasje dhe në vitin 2000. Ai bashkë me të vëllanë, Alban Bandula dyshohet të kenë marrë pjesë në vrasjen e një personi, me të cilin ishin konfliktuar për shkak të një vajze. Tre vite pas kësaj ngjarje të rëndë, në verën e vitit 2003, Bandulës iu bë dhe një atentat në Bushat të Shkodrës, por në atë kohë shpëtoi.

‘Maneci’ u vra në sy të djalit

Arben Mërkuri, i njohur gjërësit si ‘Maneci’ u vra në një atentat mafioz në Sukth. Ai ndodhej brenda biznesit të tij në momentin që breshëria e plumbave i përshkroi trupin. Dëshmitar u bë djali i tij i mitur, që në atë çast po shkonte të takonte të atin, por s’e arriti dot. Krimi u krye nga ekzekutorë me pagesë, që mundën të largohen pa lënë gjurmë nga vendi i ngjarjes, por kjo është një nga ato ngjarje që s’i vgjendet as shkaku e as porositësi. Raportimet e shumta floën për një varg ngjarjesh ku ishte përfshirë ‘maneci’, por kujt t’ia vësh gishtin? Policia s’e ka gjetur ende.

Krimi brenda bluve

Një sherr për zbatimin e porosive dhe një bullizim i përditshëm bëri që arma e shërbimit të efektivit Ludjan Zaimi të përdorej kundër eprorit të tij dhe jo për të ‘vënë poshtë’ kriminelët. Zaimi qëlloi për vdekje Çaush Saliasin, një vrasje kjo që siç u pa nga kamerat e sigurisë së komisariatit bluhej prej kohësh në kohën e të riut.

Fisi Bajri humb një tjetër anëtar

Mëngjesin e 3 qershorit një atentat mafioz do të trondiste Shkodrën, ku i vdekur do të mbetej Naim Bajri dhe i plagosur shoku i tij Astrit Zeneli. Bajri dhe Zeneli po konsumonin kafe në lokal në zonën e Rusit, kur ndaj tyre u shkarkua breshëri automatiku. Bajrit vite me parë i kanë ekzekutuar edhe djalin e tij, Indrit Bajri. I riu u ekzekutua në vitin 2001. Më 21 tetor të vitit 2001, Ilmir Hajdari, së bashku me Xhabir Shegajn dhe Kujtim Barbullushi ekzekutuan Indrit Bajrin me armë automatike. Shegaj u ekzekutua me snajper në vitin 2015. Në atë kohë policia bëri me dije se Ilmir Hajdari kishte debatuar me Indrit Bajrin e në grindje e sipër kishin kërcënuar njëri-tjetrin e ishin ndarë të acaruar. Ditën e ngjarjes, Ilmiri, pasi kishte marrë me vete edhe Xhabir Shegën e Kujtim Barbullushin, po udhëtonin me një makinë “Mercedes Benz”. Të tre të pandehurit ishin të armatosur me armë dhe po lëviznin nga qendra e qytetit në rrugën kryesore, në drejtim të lagjes “Partizani” (Rus). Te kryqëzimi, pranë Shkollës së Muzikës, në trotuarin pranë restorant “Podgorica”, Ilmir Hajdari ka vënë re Indrit Bajrin dhe ky i fundit ka vënë re atë (Hajdarin). Menjëherë ata kanë reaguar ndaj njëri-tjetrit dhe Ilmiri ka qëlluar në drejtim të tij. Po ashtu, ndaj Bajrit kanë qëlluar Xhabir Shega e Kujtim Barbullushi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në lidhje me këtë ngjarje Ilmir Hajdari është dënuar me 16 vite burg. Ky i fundit është arrestuar në vitin 2009, por pas 4-5 vitesh është liruar, sepse ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk është ai autori i vrasjes së Indrit Bajrit.

Tritoli që vrau sigurinë e Tiranës

Mesditën e 11 qershorit 2022 Tirana u trondit nga atentati me tritol ndaj 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj. Mjeti të cilit i ishin vendosur rreth 500 gram C4 shpërtheu në afërsi të TEG-ut. Sadikaj mbeti i plagosur rëndë. Ai bëri përpjekjen e fundit dhe në media u publikuan momentet teksa i riu doli nga mjeti pa këmbë. Ai u dërgua në spital nga kalimtarë rastësorë, por humbi jetën në duart e bluzave të bardha, pa patur mundësi të tregonte se kush mund ta kishte vënë në shënjestër. Megjithatë, koha flet shumë. I riu kishte probleme të shumta me drejtësinë ku ishte hapur një portofol i tërë për të që niste me grabitjet në adoleshencë, por një takim me biznesmenin Edmond Papa (I vrarë më 16 dhjetor), vetëm dy ditë para se të vritej, duket se është çelësi.

Vritet fajdexhiu në Shkodër

Më 15 Qershor 2022, 75-vjeçari Lulash Qepuri do të ekzekutohej në një atentat mafioz në ambientet e lokalit të tij në fshatin Stom Golem të Shkodrës. Qepuri ishte bashkë me të birin në local kur u vra. I moshuari u përplas me armë zjarri dhe këtë gjë e vërtetoi arsenali i gjetur brenda biznesit. Qepuri jepte para me fajde dhe kjo mendohet se është shkaku i vrasjes.

Histori pasioni, vrasja e Martin Çeços trazoi vendin

Në 16 qershor, gjendet në rezervuarin e Kolanecit trupi i pajetë i 26 vjeçarit, Martin Çeço. Ai ishte vrarë duke e mbytur me litar. Për këtë krim janë vënë në pranga Bleti Angjo, Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Martina Pajollari. Vrasja e Çeços erdhi si pasojë e këmbënguljes së vetë të riut që kërkonte me këmbëngulje të martohej me Martina Pajollarin, të njour ndryshe si Tina, një 18-vjeçare që i kishte rrëmbyer zemrën. Por, dashuria nuk ishte e dyanshme dhe këtë e zbuloi arrestimi i të resë që akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Martinit. Nga hetimet ka rezultuar se Pajollari ka qenë e pranishme në momentin që është planifikuar vrasja e Çeços nga Valter Mollaj, Edlir Molla dhe Bledi Angjo. Por, nuk është vetëm kaq! Me lot në sy, babai i të riut, Nevzat Çeço tregoi se Tina Pajollari është shkaktarja kryesore e vrasjes së djalit, ndërsa shton se ajo i dërgonte foto të një varri me lule. Për të arrestuarit, Nevzat Çeço thotë se nuk i njihte. Çeço tregon se i përfshirë në krim është edhe një tjetër person. Bëhet fjalë për Xhoni Potkën, ish-bashkëshortin e motrës së Martinës, Bora, i cili ishte personi që kishte hyrë ‘mblesë’ për të lidhur këtë çift. Ai shton se Xhoni është shprehur se i duheshin para për ta bindur Tinën dhe i kishte dhënë 2.5 milionë lekë. Por, as dhënia e parave nuk ia mbushi mendjen 18-vjeçares të martohej me Martin Çeçon. Nevzat Çeço thotë se djali i tij është kërcënuar një natë para se të vritej përmes një telefonate dhe se ka dalë nga shtëpia duke thënë: Jeta ime mbaron këtu!

Më pas, lajmi i radhës që mori i ati për 26-vjeçarin ishte gjetja e trupit të tij në një rezervuar në Kolanec të Maliqit. Paralelisht me Martin Çeçon, Tina Pajollari kishte nisur një marrëdhënie intime me një 38-vjeçar Valter Mollaj. Kur ky i fundit kishte mësuar se nuk ishte i pari për vajzën, pasi ajo më herët kishte qenë e lidhur me Martin Çeçon, ishte bërë xheloz. Mollaj, i dënuar më parë për vjedhje së bashku me dy kushërinjtë e tij Bledi Angjo dhe Edlir Mollaj shkuan në Maliq dhe takuan 26-vjeçarin. Pas debateve, e kanë mbytur të riun me një litar dhe trupin ia kanë hedhur në rezervuar.

Masakra e 17 korrikut, Brilant Martinaj u vra dhe u dogj bashkë me dy shokët

Më 17 korrikut, në mesin e sezonit veror, kur të gjithë shijonin rrezet e diellit në shezlong e konsumonin drekën buzë detit, një ‘flash’ informative bëri që në familjen Martinaj të vihej kuja! Brilant Martinaj, djali i xhaxhait të Ervis Martinajt u nis bashkë me Dikler Vatën e Besmir Hoxhën drej ‘zonës së tyre të sigurtë’, por nuk mbërritën dot. Krimi ishte mirëmenduar, në mbikalimin e Fushë Krujës, trafiku u bllokua dhe mbi makinën, jo blind si për çudi, vërshoi breshëria që përveçse u mori jetën tre të rinjve, u vuri dhe flakën. Autorët nisën të largoheshin, por një lëvizje i bëri të ktheheshin sërish. Diklen Vata doli nga mjeti dhe ishte ende gjallë, por ekipi me pesë anëtarë nuk donte dëshmitarë, ndaj i dhanë fund brenda pak sekondave dhe u larguan.

A mbeti me kaq kjo histori? Jo! Pas Brilantit e ka radhën Ylli

Ylli Ibrahimi (Brahja), krahu i djathtë dhe ‘financieri’ i Ervis Martinajt ra pre e një atentati. Më 22 korrik, ai lëvizte me “Toyota”-n e zezë të blinduar bashkë me shoferin e tij, Klisman Preçi, por sapo iu afrua pallatit ku jeton në Milot, u sulmua. Ata e kishin vëzhguar dhe kishin pritur çastin e duhur. Nga atentati humbi jetën Preçi, pasi tentoi të dilte nga mjeti, gjë që bëri që plumbat ta kapnin, ndërsa Ibrahimi mbeti vetëm i plagosur. Ai u shtrua tek Trauma dhe i mbijetoi atentatit që ishte i dyti brenda dy viteve, por nuk foli për asnjë konflikt të mundshëm.

Më 30 korrik, Jetlira Elezi u masakrua me thikë nga bashkëjetuesi i saj, Ramis Mici, babain e dy fëmijëve. 37-vjeçarja ishte me urdhër mbrojtjeje, por nuk ishte mjaftueshëm për të kufizuar burrin e saj dhunues. Vetëm pak ditë para krimit, Elezi kishte denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë, pot letrat e tilla kanë treguar që s’kanë aspak vlerë në vendin tonë.

Një sherr banal u kthye në krim mbrëmjen e 9 gushtit. Neli Sotiri u vra nga fqinji i tij Velo Hazizllari. Dyshja kishin konflikte të herëpashershme.

Gushti shënoi dhe ngjarjen e shekullit, zhdukjen pa gjurmë të ‘boss’-it të lojërave të fatit, Ervis Martinaj

39-vjeçari la mesazhin e fundit për familjen e tij më 9 gusht dhe u zhduk pa gjurmë. Kamerat zbardhën disa prej lëvizjeve të tij të fundit e çuan në pranga efektivin Jeton Lami që Martinaj e kishte rekrutuar në radhët e tij, por askush s’guxon të thotë çfarë ka ndodhur saktësisht me njeriun që sfidoi vetë kryeministrin. Çdokush që ka dëgjuar të paktën njëherë mbi historinë e tij e ka thënë versionin e tij, përveç Prokurorisë. Flitet për miliona euro të hedhura për shpëtimin e tij, për një modele që e noxrri në oritë, por verdikti s’është dhënë…Ku e shitën? Kujt ia shitën? Përse e shitën? Përse nuk janë pas hekurave ata që e shitën?

10 Gusht 2022 në Krujë, Klodjan Keqi ka vrarë fqinjin, e identifikuar si Luan Hushi, me kallashnikov. Dyshja u zunë për ullinjtë.

Elbasani u trondit më 17 gusht. Madrit Ulqinakut iu bë pritë në mbrëmje, pasi ishte ulur në një bar ku kishte debatuar me Horgito Peqinin. Ky i fundit pas sherrit u mblodh në shtëpi ku thuri planin me Klaudian Sallufin 33-vjeç dhe 18-vjeçarin Ejden Dino. Të tre janë vënë në pranga, por Horgito ka pranuar autorësinë dhe ka kërkuar lirimin e bashkëpunëtorëve.

Sherri për parkimin në Sarandë

Më 17 gusht, Klodian Bakia gjeti vdekjen pas një debate me kamerierin e një lokali. Xhanelo dhe Xhoi Tarja kishin ardhur Nga Laçi në Sarandë për të punuar, por pasditen e 17 gushtit u zunë me 41-vjeçarin që parkoi makinën para lokalit ku punonin. Bakiu goditi Xhoin dhe Xhanelo u fut brenda lokalit, doli dhe qëlloi me thikë në zemër 41-vjeçarin. Të dy vëllezërit janë arrestuar.

Masakra e Vlorës, Shpati dhe Hakimi u vranë në autostradë, ishin nisur drejt burgut të Lushnjes

Më 18 gusht, Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, të dy persona me precedent penalë morën makinën dhe u nisën për një takim në burgun e Lushnjes, ku do t’i dërgonin rroba e ushqime Eduar Xhezos që vuan dënimin për vrasjen e Arben Beqirajt, ngjarje e ndodhur në vitin 2019 pas sherrit për kalin. Rrugës iu bë pritë, meti u anua nga breshëria e kallashnikovit dhe të dy mbetën të vdekur. A ishtev kjo një hakmarrje për vrasjen e Beqirajt?

23 gusht, vritet Metushi, piu me autorin deri në 3 të mëngjesit

Më 23 gusht 2022, në Vaun e Dejës pas një sherri në lokal u vra Agron Metushi. Vrasja u krye nga Alfons Palushani. Të dy pinë deri në 3 të mëngjesit, por avujt e alkoolit bënë që të dy të konfliktoheshin.

Vrasje e dyfishtë në Tiranë, shkak sherri për pronat

Pasditen e 30 gushtit në kryeqytet, 38-vjeçari Arsen Muskurti vrau me armë zjarri vëllanë e bashkëshorten e tij, Alban dhe Nora Muskurtin. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Islam Alla”, brenda biznesit të çiftit, pronë për të cilën kishte pretendime dhe autori i krimit. Pas arrestimit rreth dy orë pas ngjarjes, 38-vjeçari çoi hetuesit në rrugë të gabuar për të gjetur armën e krimit. Ishte njëra prej dy grave të tij, e cila rrëfeu para hetuesve vendin ku ai fshehu pistoletën. Ajo u dha kodin e kasafortës dhe arma u gjet vetëm disa metra larg biznesit të agjencisë së udhëtimeve ku vrasja ndodhi. Ky krim i dyfishtë zbuloi dhe heshtjen e organeve ligjzbatuese ndaj një përplasjeje disa vjeçareje mes dy vëllezërve që kallëzonin njëri-tjetrin vazhdimisht për shkakctë problemeve me pronat. Konflikti ishte ndezur herë pas here edhe në rrjetet sociale, ku Arseni ‘mallkonte’ të vëllanë e gruan e tij. Arsen Muskurti i kishte viktimës një borxh prej 150 mijë eurosh, për të cilin Albani Muskurti kishte hapur edhe një proces gjyqësor. Ditën e krimit, Arseni mori fletëthirrjen nga gjyqi dhe shkoi të ballafaqohej me të vëllanë në një bar kafe pranë biznesit ku ndodhi krimi. Ai u ‘përzu’ që aty nga çifti dhe pak minuta më vonë u fut në biznesin e dyshes me armë në dorë dhe i vrau. Arsen Muskurti, i njohur edhe me emrin Hamza Muskurti, është një biznesmen dhe predikues i fesë islame.

Foli në media, Ismet Çekorja u vra si mesazh për të birin

Më 2 shtator Ismet Çekorja gjeti vdekje në Shkodër. Ai u vra në atentat, vetëm pak ditë pasi foli në media për të birin, Bajram Çekorja, i akuzuar për atentatit ndaj Alban Bruçit. Ky i fundit shpëtoi mrekullisht, por duke qenë se Bajramin s’e gjeti dot, kapi të atin. Ismeti foli për ‘banda të veshura me pushtet’ që sipas tij, i janë vënë familjes, por breshëria e plumbave s’e lanë t’i mbaronte intervistat.

Erjon Xhenja pagoi për vrasjen e Ismet Çekorjas

Nga arratia, Bajrami e zbardhi vrasjen e të atit, shumë më shpejt se policia, por ndërkohë që ‘killerat’ ruhen, ai u gjeti kushëririn. Më 22 shtator Xhenje u vra në një lokal teksa shihte futboll me miqtë e tij. Policia shpalli në kërkim Bajram Çekorjan dhe s’e ka gjetur ende.

Masakër në Klos brenda dy familjeve

Në disa zona, ligjin e bën ende ‘fshati’. Kështu ndodhi dhe në Klos, ku më 12v nëntor, ballafaqimi mes dy familjeve përfundoi në masakër me dy të vrarë e me autorin e krimit të vetëvrarë. Fiqiri Mjeshtri u ul në tavolonë për tu ballafaquar me familjen Shira e Hasula. Nga Lonra, Fiqiriu i kishin ardhur fjalët në vesh se fshati po ia merrte vajzën ‘nëpër gojë’ pasi kishte krijuar lidhje me Kenado Shirën, 17 vjeç, të cilin e kishte në shkollë. Kështu që mjeshtri e kishte vendosur t’ua jepte vajzën për nusë, por kundërshtimi i Shirës agravoi gjakrat. Familja Shira s’e prnonte për nuse me argumentin se adoleshentja kishte pasur një lidhje dhe me Renato Hasulën, gjithashtu mik shkolle, por kushëri me Shirën. As Hasula s’e pranoi nusen dhe zgjidhja për mbrojtjen e nderit ishte plumbi. Fiqiri Mjeshtri vrau babë e bir, Liri e Kenado Shira, 47 dhe 17 vjeç babë e bir, si dhe plagosi babë e bir Eglantin e Renato Hasula. Me të njëjtën armë ai vendosi të vetëflijohej.

Briken Sanaj u vra më 30 tetor në zonën e Kodrës së Diellit, plani u thur në Begjikë

Brikan (Dritan) Sanaj u vra në zonën e Kodrës së Diellit më 30 tetor, por plani u thur në Belgjikë ku autori Vladimir (Valmir) Kola jetonte prej vitesh. Një javë para se të ndodhte ngjarja, Kola kishte udhëtuar nga Belgjika drejt Spanjës me avion dhe më pas në drejtim të Malit të Zi. Prej andej, ai ka hyrë në mënyrë ilegale në vendin tonë, ku më datë 24 tetor, 6 ditë para vrasjes, është takuar në Shëngjin me dy kosovarët, të cilëve u bleu makinën Mercedes Benz që përdori në krim. Pikërisht me këtë makinë, Kola ka udhëtuar nga Shëngjini në Tiranë më datë 26 tetor dhe për 4 ditë me radhë ka vëzhguar zonën në Kodrën e Diellit, ku dhe vrau e Briken Sanajn. Valmir Kola dyshohet se tre ditë pasi ka kryer krimin, është larguar sërish drejt Belgjikës. Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë – Durrës, së bashku me armën e krimit. Vladimir (Valmir) Kola është shpallur në kërkim bashkë me dy bashkëpunëtorët nga Kosova, Kened Antoni 25 vjeç, lindur e banues në Pejë dhe Gjelosh Krasniqi lindur e banues në Pejë. Në kërkim për këtë krim është shpallur edhe Agustin Kola, vëllai i autorit, i cili ndodhet në Spanjë, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për ngjarjen. Vrasja e Briken Sanajt është kryer për hakmarrje, për plagosjen e kryer 10 vite më parë nga vëllai i tij, Antonio alias Renato Sanaj. E gjitha, pas një sherri të nisur për një vajzë. Në atë kohë, Renato qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën, vëllain e Valmirit. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe vëllezërit Sanaj kishin ikur nga Shqipëria për të nisur një jetë të re në Itali.

16 dhjetor, vrasja e Edmond Papës mbyll krimin për vitin 2022

Edmond Papa u vra në Tiranë, teksa pinte kafe në një lokal pranë shtëpisë së vëllait të tij, në zonën e Selitës. Ai kishte udhëtuar nga Saranda ku jetonte, drejt Fierit, kishte marrë të ëmën dhe kishte ardhur në Tiranë për ta çuar për vizita mjekësore. Ndalesa ishte në shtëpinë e të vëllait dhe ndërkohë që e ëma ushqehej nga duart e nuses, Papa u vra. Deri më tani dihet vetëm që autori ishte një person i shkurtër dhe i mbushur. Familja nuk flet për konflikte, por Edmond Papa, 49-vjeç dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Papa jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit. Krimi u pasua me vrasjen e dy shqiptarëve ne Greqi, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja. Urdhri dyshohet se ka dalë nga burgu grek, për zhdukjen e 700 kilogramëve kanabis, më konkretisht nga qelia e liderit të mafies shqiptare në Greqi, Klodian Lekocaj. Pas vrasjes së dy shqiptarëve në Athinë, është zhdukur pa gjurmë dhe miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi. Dyshohet se ai është eliminuar por për momentin nuk ka detaje të tjera lidhur me shqiptarin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bilanc tronditës: 16 të ekzekutuar

Gushti, muaji me më shumë të vrarë në 5 vite


Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!