MENU
klinika

Deklarata e William Walker

“Vuçiç dhe Millosheviç donin që bota të mos dëgjonte për masakrën e Reçakut”

15.01.2023 - 19:11

Ish-shefi i misionit verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, në 24 vjetorin e masakrës së Reçakut, ka thënë se kjo masakër ishte moment kthese për Kosovën.

“15 janari i vitit 1999, ishte një ditë me mot të tmerrshëm, kishte borë, akull, ishte e vështirë të ngjiteshim në vendin ku ishin trupat që ishin vrarë një natë më parë. Sot, shikoj diellin duke ndriçuar, qiellin e katër, kjo simbolizon se gjërat definitivisht kanë ndryshuar, jo vetëm simbolikisht”, tha Walker.

“Këtë vit kur ecëm te varret, nuk isha në gjendje të dalloja se cilat ishin familjet e viktimave e cilët ishin njerëz që duan të tregojnë respektin. Çdo vit numri i njerëzve që duan të tregojnë respektin po rritet”.
Ai ka theksuar se Qeveria e Serbisë atëkohë po provonte ta mbante të fshehur masakrën e Reçakut.

“Në Serbi, Qeveria e Beogradit e Milosheviç dhe Vuçiç, nisën të bëjnë gjërat që të kujdeseshin që bota të mos dëgjonte për Reçakun apo ta pranonte versionin e tyre. Por, falë Zotit kjo nuk ndodhi”, shtoi ai.

“Mediumet botërore erdhën, transmetuan pamjet e asaj që po ndodhte në Kosovë, e si rrjedhojë erdhi intervenimi i NATO-s. Është fantastike të shoh atë që është bërë me Reçakun sot, është një vend që ka rëndësi të madhe për mua”.

Ai e përmendi edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, të cilit ia kishte dhuruar një lule tri vite më parë për ta kujtuar Reçakun.

“I dhashë një lule për ta mbajtur në zyre, dhe sa herë ta shihte ta kujtojë Reçakun. Më tha se ashtu ka bërë, tani nuk e di se ku është dhe nuk e di nëse e kujton ende Reçakun”.

“Ajo që dua të them është se çdo vit qeveria qendrore dëshiron të vijë dhe të tregojë se Reçaku përfaqëson shumë më shumë sesa vetëm një regjion, përfaqëson Kosovën”.

Ndryshe, diplomatit amerikan, në 24 vjetorin e masakrës së Reçakut, të premten iu nda titulli “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti Publik “Haxhi Zeka”, në Pejë.