MENU
klinika

Kritika për trajtimin e krizës në Kosovë

Vuçiç kërcënon me dorëheqje

23.01.2023 - 11:52

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen gjatë një takimi të partisë për shkak të kritikave për trajtimin e tij për çështjen e Kosovës.

Vuçiç informoi Partinë Progresive Serbe (SNS), të cilën ai e drejton, për planin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të cilin ia ka paraqitur të premten një delegacioni prej pesë anëtarësh euro-amerikan.

Ai gjithashtu përshkroi pasojat që do të pësojë Serbia nëse e refuzon projekt-marrëveshjen. Shumë zyrtarë i kërkuan Serbisë të mos e pranonte propozimin, të tërhiqej nga dialogu.

Kreu i Komitetit Ekzekutiv të SNS-së, Darko Gliçiq, tha se Vuçiç pasi dëgjoi pikëpamjet, reagoi ashpër.

“Nëse dikush mendon se mund ta drejtojë më mirë Serbinë, unë do të tërhiqem. Nëse dikush mendon se është më mirë të shkatërrohet vendi ekonomikisht, atëherë unë ia dorëzoj qeverinë kujtdo që është më i zgjuar se unë”, thuhet se presidenti Vuçiç iu përgjigj kritikave sipas Darko Glicic.

Më pas, dukshëm i irrituar është larguar nga mbledhja dhe është larguar nga selia e partisë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka planifikuar sot konsultime me organet politike për planin europian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Në mesditë ai do të marrë pjesë në një takim me anëtarët e këshillit qeveritar. Në mbrëmje pritet t’i drejtohet popullit serb, ndërsa në ditët në vijim do të vazhdojë konsultimet me partitë politike dhe organizatat shoqërore.

Të premten një delegacion euro-amerikan prej pesë anëtarësh, i përbërë nga përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i SHBA-së Gabriel Escobar dhe këshilltarët e presidentit francez, kancelares gjermane dhe kryeministrit italian, u takua me Vuçiç në Beograd dhe prezantuan një propozim për zgjidhjen e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën.

Aleksandar Vuçiç tha pas takimit se ato ishin negociatat më të vështira që kishte bërë ndonjëherë dhe gjithashtu tha se ishte i informuar për pasojat që do të pësojë Serbia nëse e refuzon propozimin.

“Në këto rrethana, unë shpreh gatishmërinë time për të pranuar projekt-marrëveshjen dhe për të punuar në zbatimin e saj”, tha presidenti, por shprehu rezerva për një nen kyç të draftit, pa specifikuar se cilin.

Miroslav Lajçak konfirmoi se Vuçiç “tregoi gatishmëri për të marrë vendime të vështira për çështjen e Kosovës”.

Neni 1

Palët do të zhvillojnë reciprokisht marrëdhënie normale, të mira fqinjësore mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet tyre vetëm me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Të dyja palët do t’i mbështesin aspiratat e tyre për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian.

Neni 6

Ndërsa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm në normalizim, të dyja palët do ta vazhdojnë procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja me një vrull të ri, duke çuar në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët bien dakord që në të ardhmen do ta thellojnë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, trafikut dhe lidhjes, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtjen e mjedisit, personat e pagjetur dhe fusha të tjera në mënyrë të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike.

Neni 7

Të dyja palët avokojnë për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Europës dhe përdorimin e përvojave ekzistuese Europiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në Kosovë në disa fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese europiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë e qeverisë përkatëse.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Nga të dyja palët u vu në dukje përkushtimi i BE-së dhe kontribuesve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë të ndihmës financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, i cili do të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme.