Atletët rusë nuk duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të Parisit në vitin 2024, i kërkoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky homologun e tij francez Emmanuel Macron të martën, pasi Rusia ka pushtuar Ukrainën për njëmbëdhjetë muaj.
“Kam insistuar veçanërisht në faktin, që atletët rusë të mos kenë vendin e tyre në Lojërat Olimpike të Parisit”,- deklaroi në Telegram z. Zelensky, pas një interviste telefonike me kreun e shtetit francez.
Rusia pushtoi Ukrainën nga territori i saj dhe ai i Bjellorusisë, më 24 shkurt, tre ditë pas ceremonisë së mbylljes së Lojërave Dimërore “Pekin 2022”, në kundërshtim me armëpushimin olimpik (i cili shtrihet nga një javë para fillimit të Lojërave Olimpike në një javë pas përfundimit të Lojërave Paralimpike).
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) sanksionoi shpejt Moskën dhe Minskun. Që atëherë, asnjë ngjarje sportive ndërkombëtare nuk është organizuar apo mbështetur në Rusi apo Bjellorusi dhe asnjë simbol kombëtar i këtyre vendeve nuk shfaqet gjatë një ngjarje sportive.
Në një mesazh të Vitit të Ri, presidenti i IOC-s, Thomas Bach, kishte treguar në fund të 2022 se ai dëshironte të shihte sanksionet e tij sportive të zgjateshin deri në vitin 2023. “Këto sanksione kundër shteteve dhe qeverive ruse dhe bjelloruse, duhet të mbeten dhe do të mbeten të vendosura në vend”,- ka thenë ai.
“Ne duam të shohim një ekip të fortë nga (…) Ukraina në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 dhe në Lojërat Olimpike Dimërore të Milanos Cortina 2026,”- tha Bach, duke kujtuar “angazhimin total të IOC dhe të gjithë Lëvizjes Olimpike në favor të këtij solidariteti”.
Në mes të dhjetorit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje që atletët rusë të vendosen në “izolim të plotë” nga të gjitha garat ndërkombëtare.
Zelensky i kishte treguar gjithashtu presidentit Bach kundërshtimin e tij të vendosur ndaj qëndrimit të marrë nga Komiteti Olimpik dhe Paralimpik Amerikan, i cili kishte thënë në mes të dhjetorit, se ishte e favorshme për pjesëmarrjen e atletëve nga Rusia dhe Bjellorusia në Lojërat Olimpike të Parisit, me kusht që ato ‘të mos veshin ngjyrat e vendeve të tyre’.