MENU
klinika

Dënimet që rrezikojnë nga krimet zgjedhore

14 Maji/ KQZ paralajmëron qytetarët dhe zyrtarët

20.02.2023 - 13:28

Ndërsa data për mbajtjen e zgjedhjeve lokale afrohet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë një apel për krimet zgjedhore. Duke u drejtuar jo vetëm zyrtarëve publikë, por edhe qytetarëve, KQZ-ja kujton se krimi zgjedhor është vepër penale dhe dënohet me burg dhe se në asnjë rast nuk do të tolerohet cilido person që konsumon një krim të tillë.

Po ashtu, KQZ-ja kujton se shitja dhe blerja e votës dënohen nga 1 deri në 5 vite burg. Fotografimi i votës në dhomën e fshehtësisë dhe shfaqja tek të tjerët dënohet nga 3 muaj deri në 3 vite burg. Ndërsa votimi familjar apo më shumë se një herë dënohet nga 1-3 vite burg.

Një masë tjetër, e cila do të marrë ndëshkimin ligjor nëse konsumohet ka të bëjë me zyrtarët publikë, të cilët veprojnë në shkelje të ligjit, duke nisur nga fushata gjatë kryerjes së detyrës, pjesëmarrja në aktivitete politike gjatë orarit zyrtar, ndikimi i votës tek të tjerët.
Ndërkohë, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çdo cenim që prek zgjedhjet pa kryer identifikimin elektronik, kanosja, falsifikimi apo dëmtimi i materialit zgjedhor dënohen nga 3 muaj deri në 7 vite burg. Gjithashtu, si një masë parandaluese është edhe portali në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilit ftohen të gjithë qytetarët të denoncojnë krimet zgjedhore.

Siç bën të ditur KQZ-ja, në zgjedhjet e vitit 2021 dhe ato të pjesshme më 6 mars 2022 ka pasur një shifër të lartë denoncimesh.
Sipas shifrave, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm mbërritën 158 njoftime/ kallëzime për krime të dyshuara zgjedhore, por u regjistruan vetëm 82 procedime penale. Raporti vjetor i organeve të hetimit saktësoi gjithashtu se Prokuroria e Posaçme, SPAK, administroi rreth 115 kërkesa për hetim nga subjektet dhe prokuroritë e rretheve, nga të cilat regjistroi 57 procedime penale.