MENU
klinika

Çfarë u diskutua mes tyre?

Albin Kurti takon të dërguarin e posaçëm të MB

19.02.2023 - 11:41

Për zhvillimet dhe sfidat rajonale kanë diskutuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Takimi u zhvillua në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet një konferencë për sigurinë, njoftoi zyra e kryeministrit.

“Kryeministri Kurti falënderoi Peach për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në zhvillimin dhe proceset integruese të saj, dhe rolin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e 19 shkurtit.

Gjatë ditës së djeshme, Kurti takoi përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

“U diskutua për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia. Po ashtu u fol për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftimin e 18 shkurtit.

Për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u fol gjithashtu në Mynih të Gjermanisë në takimin mes Kurtit dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

Megjithatë, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kosova dhe Serbia janë nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, nga frika se Rusia mund t’i shfrytëzojë tensionet mes tyre për të nxitur destabilizim në Ballkan, në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Aktualisht, palët kanë në tryezë një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilin SHBA-ja ka shprehur mbështetje.

Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Bruksel më 27 shkurt, për herë të parë që nga nëntori i vitit të kaluar. /REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dekarata e deputetes gjermane në PE

“Kosovarëve duhet t’iu hiqen vizat”

Kurti: Së shpejti dialogu Prishtinë-Beograd

“Dua që Shqipëria ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës”

Flet eksperti gjerman për Ballkanin

“Kurti do të jetë kryeministër jokomod”