Ish-drejtoresha e koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë, Alda Klosi, është arrestuar një natë më parë me akuzën e pastrimit të parave.
Arrestimi i saj erdhi pas hapave që ndërmori prokuroria e Tiranës, për verifikimin mbi pasurinë e xhaxhait të saj.
Bëhet fjalë për 120 mijë eurot e vjedhura nga pastruesja Rozeta Dobi, për të cilat Klosi kishte deklaruar, që ishin të familjes së xhaxhait të saj që rrinte në Amerikë, i cili ia kishte lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer.
Gjithashtu arrestimi i saj është bazuar edhe në dëshminë e pastrueses, e cila mësohet se ka deklaruar se ka parë shumë para në shtëpinë e Klosit.
“Kam parë shumë para, kam pastruar shumë shtëpi. I shikoja shpesh nëpër kuti, m’i la t’i fshihja”, mësohet të ketë thënë ajo.