MENU
klinika

Pritet ekstradimi i tij

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, arrestohet në Abu Dhabi anëtari i bandës së Plaurent Dervishajt!

23.02.2023 - 18:18

Është arrestuar në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara, Amar (Dritan) Shkëmbi i shumëkërkuar nga autoritete shqiptare si anëtar i një grupi kriminal. Operaconi është zhvilluar nëpërmjet një bashkëpunimi mes SPAK dhe Interpol Abu Dhabi në koordinim me qendrën e Interpolit në Francë.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar më herë masën e arrestit me burg për Dritan Shkëmbin, për përfshirjen e tij në atentatin e organizuar ndaj ish prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja në vitin 2019. 39 vjeçari dyshohet se bashkë me dy persona të tjerë ka qenë në makinën që ka hapur zjarr ndaj automjetit ku ndodhej ish prokurori Arjan Ndoja që po qarkullonte në mbikalimin e Shkozetit në rrugën ‘Tiranë-Durrës’.

Dritan Shkëmbi i shpallur në kërkim nga SPAK, njihet si anëtar i bandës së Plaurent Dervishajt, i shpallur në kërkim pas rrëfimit të Luftar Reçit, i cili ka treguar dinamikën e vrasjes së Klodian Saliut, vrasje në të cilën bashkëpunëtori i drejtësisë, ka treguar se ka marrë vetë pjesë, së bashku me Plaurent Dervishaj.

Pas arrestimit të tij, pritet nisja e procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë ku do të gjykohet lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij, “Vrasja në rrethana cilesuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar krininal”.

Si u organizua atentati ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja

Amar (Dritan) Shkëmbi dhe Julian Meçaj kanë komunikuar në aplikacionin ‘SKY’ mes datave 13 gusht dhe 23 shtator të vitit 2019 për të rënë dakord mbi sigurimin e kushteve dhe mjeteve për realizimin e vrasjes së ish prokurorit të Durrësit dhe Pëllumb Muharremit që ndodhej me të në makinë. Ata kanë komunikuar vazhdimisht në këtë aplikacion me qëllim që të mos përgjohen dhe identifikohen nga hetuesit e prokurorisë.

Nga 11 personat e shpallur në kërkim për këtë atentat, ende nuk janë vënë në pranga 3 prej tyre. Më herët për këtë ngjarje janë arrestuar Redjan Rraja (5 nëntor 2019) dhe Arjol Halilaj në 5 maj të 2020-ës. Ndërsa në 20 janar të këtij viti u arrestuan Genti Ndërjaku alias Akil Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija.

Pas arrestimit të Amar Dritan Shkëmbit, në kërkim për atentatin janë 3 persona, Julian Meçaj, Ramazan Rraja dhe Plaurent Dervishaj i cili dyshohet se ndodhet në Dubai.

Atentati ndaj prokurorit Ndoja
Në vitin 2019 një atentat me breshëri automatiku iu bë ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoj pranë mbikalimit të Shkozetit. Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”,  Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi). i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.