Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin pjesëmarrjen e atletëve rusë dhe bjellorusë në Lojërat Olimpike Paris 2024 nën një flamur neutral, por kundërshtojnë shfaqjen e flamujve të tyre, tha Shtëpia e Bardhë të enjten.
Nëse atletët ftohen në një ngjarje sportive ndërkombëtare si Lojërat Olimpike, “duhet të jetë absolutisht e qartë se ata nuk përfaqësojnë shtetet ruse apo bjelloruse”, tha zëdhënësja ekzekutive Karine Jean-Pierre.
“Përdorimi i flamujve, emblemave ose himneve ruse dhe bjelloruse gjithashtu duhet të ndalohet. Shtetet e Bashkuara mbështetën pezullimin e organeve sportive të Rusisë dhe Bjellorusisë nga federatat ndërkombëtare të sportit,”- kujtoi ajo.
Pjesëmarrja, ose jo, e atletëve nga këto kombe në Lojërat Olimpike 2024 në Paris është subjekt i debatit në rritje. Ukraina dëshiron që atletët rusë thjesht të ndalohen nga garat për shkak të pushtimit të vendit të tyre nga trupat e Moskës. Një kërkesë e mbështetur nga vendet balltike dhe Polonia.
Komiteti Olimpik Rus beson se atletët e tij duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në Lojërat Olimpike pa kufizime. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) propozoi kohët e fundit një udhërrëfyes për të organizuar kthimin e sportistëve të ndaluar nën flamurin neutral, me kusht që ata “të mos e mbështesin në mënyrë aktive luftën në Ukrainë”.