MENU
klinika

“Fytyra e Zelensky-t dukej si hartë lufte, kishte trishtim e dëshpërim”

Ben Blushi tregon për vizitën në Kiev dhe “peripecitë” për të fotografuar presidentin ukrainas

24.02.2023 - 20:50

Shkrimtari Ben Blushi ka publikuar në rrjetet sociale një pjesë nga libri i tij “41 sekrete” ku rrëfen për vizitën në Ukrainë dhe fotografinë që arriti t’i shkrepë Presidentit Volodymyr Zelensky.

Ky rrëfim vjen në një vjetorin e nisjes së agresionit rus në Ukrainë, ku Blushi tregon të gjithë udhëtimin nga Shqipëria drejt Kievit.

Ai tregon se ishte e pamundur që t’i merrje një intervistë apo një fotografi Presidentit Zelensky, pa u konsultuar më parë me këshilltarët e tij.

Postimi i Ben Blushit:

FOTOGRAFIA E ZELENSKY-T. Në 24 shkurt mbushet një vit nga hyrja e ushtrisë ruse në Ukrainë. Meqë gjithë bota sot bën bilancin e këtij konflikti, po postoj fotogtafinë që i kam bërë Presidentit Zelensky në Kiev, bashkë me peripecitë e këtij udhëtimi, të cilat janë pjesë e librit tim ” 41 Sekrete “.

Nga mesi i qershorit të vitit 2022, Edi Rama më çon një sms.

Do vish t’i bësh një foto Zelensky-t?

Absolutisht po, i përgjigjem.

Pasi shkëmbyem një duzinë sms të tjera për udhëtimin drejt luftës, peripecitë e të cilit nuk mund t’i imagjinonim, pas tri ditësh u gjendëm në një avion turk, që na çoi në një bazë ushtarake polake shumë afër kufirit të Ukrainës.

Nga aty, duhej të bënim rreth një orë me makinë për të shkuar në qytetin e fundit polak, nga ku nisen trenat për në Kiev. Qyteti kishte një emër që unë nuk e shqiptoj dot. Shkruhet Przemysl. Unë i them shkurt Pshemysh.

Që aty, pra nga Pshemyshi, udhëtuam natën, për pothuajse 12 orë, me një tren sovjetik me kabina të errëta dhe sedilje të ngushta, i cili duke gjarpëruar përmes fushave të zeza, rënkonte sikur do thyhej, sa herë kalëronte mbi një urë.

Në këta trena që udhëtojnë drejt luftës, kërkohet disiplinë ushtarake.

Pa përjashtim, ukrainas, shqiptarë, polakë apo çfarëdo, i binden një urdhri: mbani mbyllur dritat e kabinave për t’u ruajtur nga sulmet e papritura të ndonjë avioni rus, që mund ta hedhë në erë trenin bashkë me pasagjerët, gjatë një shëtitjeje lunatike mbi qiejt e Ukrainës.

Ka disa mënyra për ta kontrolluar këtë panik.

Njëra është të flesh, çka unë nuk e bëra dot. Tjetra është të pish, çka ne nuk e dinim dhe e bëmë me sukses në kthim. Tjetra është të bësh muhabet me ushtarët ukrainas që na shoqëronin. Unë zgjodha mundësinë e tretë dhe aty mësova nga lufta, më shumë se gjatë gjithë këtyre muajve që kur Ukraina është sulmuar nga Rusia.

Pavarësisht se ushtarët ukrainas ishin shumë miqësorë, pasi iu përgjigjën kolektivisht më shumë se 30 pyetjeve të mia, më në fund i bënë shenjë njëri-tjetrit dhe u zhdukën secili në kabinën e vet. Unë mbeta një copë herë në korridorin e gjatë të trenit, me shpresë se mos gjeja ndonjë njeri për të shtyrë natën.

Nuk gjeta asnjëri. Të gjithë ishin futur në kabina.

Të njëjtën gjë bëra dhe unë, duke u përpjekur të mbaj drejt kokën time që përplasej në dritaren e trenit sa herë ky ulej dhe ngrihej mbi disa shina të shtruara përpara Luftës së Dytë Botërore.

Kabina ku kalova natën kishte dy sedilje të gjata lëkure, njërën prej të cilave e përdora si krevat, ndërsa tjetrën si dollap për të lënë rrobat që kisha marrë me vete.

Kur arritëm në Kiev, nga ora 8 e mëngjesit, isha pothuajse pa gjumë.

Ishte një ditë e bukur qershori dhe jo vetëm për këtë shkak Kievi dukej si një qytet pa luftë.

Makinat lëviznin normalisht, parqet ishin plot me pleq dhe në trotuare kalonin njerëz të qeshur e të qetë.

Asnjë gjurmë lufte, askund. Unë bëja fotografi kudo nëpër parqe, në fasada, në postblloqe, në dyqane, në rrugë, në trotuar, në muze, në kafe, derisa shkuam në dy qytetet e bombarduara, Borodyanka dhe Irpin.

Aty e plotësova arsenalin tim fotografik me qindra shkrepje që derdha mbi pallatet e shembura apo të djegura, si dhe makina të shkrumbuara buzë rrugëve.

Ushtarë kishte sa të duash. Ushtarët janë gjithnjë një shënjestër e mirë për çdo fotograf. Ata ishin të afrueshëm, madje njërin e binda të pozonte për mua, duke u lëkundur mbi një shilarës fëmijësh.

I bindur se nga të gjitha fotot që kisha bërë më mungonte vetëm një, ajo e Zelensky-t, u futa në makinën e ambasadorit të Ukrainës në Shqipëri, i cili udhëtonte me ne. Ambasadori e ka emrin njëlloj me Zelensky-n, quhet Volodymyr Shkurov.

Dua një foto me Zelensky-n, i thashë.

Nuk e di sa mundet, tha ambasadori.

Unë për këtë foto kam ardhur deri në Kiev, i thashë.

E kuptoj, tha ambasadori, por kjo nuk varet nga unë.

Sa ke pa ardhur në Kiev, e pyeta.

Kisha dy vjet, tha ambasadori.

Si të duket, e pyeta.

Nuk mendoja se do ishte kaq qetë.

Ku banon, e pyeta.

Ja, tek ai pallati pas parkut, tha ambasadori.

Do shkosh në shtëpi, e pyeta.

Nuk kemi kohë, tha ambasadori, pas takimit me Zelensky-n, duhet të kthehemi për të kapur trenin.

Duhet ta fotografoj Zelensky-n, thashë unë, do bëj një ekspozitë në Shqipëri.

Po flas me stafin e tij, tha ambasadori, më jep të dhënat e pasaportës.

Ja ku janë, i thashë, thuaju që jam një shkrimtar shqiptar që bën edhe fotografi.

Do u them, tha ambasadori.

Ti ke dhe emrin si Zelensky, i thashë, ndoshta kjo të ndihmon ta bindësh.

Emrin Volodymyr në Ukrainë e kanë më shumë se 2 milionë burra, tha ambasadori, është njëlloj si emri Ben në Shqipëri.

Kur shkuam në pallatin presidencial të Kievit, e kuptova se që t’i merrja 3 minuta Zelensky-t me ndihmën e ambasadorit të tij ishte e pamundur. Zelensky duhet të merrte më shumë se një mijë kërkesa në javë për të pozuar për revistat, gazetat dhe fotografët e gjithë botës. Nëse do t’u përgjigjej të gjithëve, me siguri Ukraina do e kishte humbur luftën që në ditën e tretë.

I çova një sms Edi Ramës.

Mos harro që më ke premtuar një foto të Zelensky-t.

Do përpiqem t’i them, tha Rama.

Natyrisht, nuk ia tha dhe, kur e pashë Zelensky-n pas gjysmë ore, e kuptova përse.

Duke pritur Zelensky-n të dilte në konferencë shtypi, takova këshilltarin e shtypit të Zelensky-t, që ishte ulur në rreshtin e parë.

A mund t’i bëj një foto Presidentit, e pyeta.

Nuk mund t’i bësh asnjë foto, tha këshilltari.

Nuk zgjat më shumë se dy minuta, i thashë.

Të thashë që kjo është e pamundur, tha këshilltari.

Po pse është e pamundur, e pyeta.

Sepse duhet ta kishe kërkuar një muaj përpara, sipas protokollit, tha këshilltari.

Një muaj përpara, unë nuk e dija që do vija në Ukrainë, i thashë.

Ky nuk është problemi im, tha këshilltari.

Lufta nuk mund të programohet, thashë unë.

Por koha e Presidentit mund të programohet, tha këshilltari.

Ky është një President në luftë dhe duhet t’u përshtatet kërkesave të luftës, thashë unë.

Po ti nuk je një fotograf lufte, tha këshilltari.

Nga e kupton ti që nuk jam fotograf lufte, e pyeta.

Nga këpucët, tha këshilltari, i ke shumë të pastra.

Shumë më vonë, pasi erdha në Tiranë, e pashë këshilltarin në televizor, në një nga qytetet lindore që Ukraina ia rimori Rusisë. Zelensky kishte shkuar aty të ngrinte flamurin e Ukrainës mbi një godinë të rrënuar, që dukej si një pallat kulture, dhe me atë rast po mbante një fjalim para ushtarëve që kishin çliruar qytetin. Meqë nuk kishte as foni dhe as mikrofon, këshilltari i mbante një altoparlant, përmes të cilit Zelensky fliste me zë të ngjirur.

Hyra në google dhe kërkova emrin e tij. Quhet Serhii Nykyforov. Ose Sergei Nikiforov. Kishte qenë gazetar për shumë vjet dhe Zelensky e kishte marrë sekretar për mediat.

Por le të kthehemi në Kiev.

Në kohën që po negocioja më kot me Sergein, duke u përpjekur t’i them se Zelensky do jetë pjesë e një ekspozite, ndoshta edhe e një libri, dhe mua nuk më duhej më shumë se një minutë që ai të ndalonte përpara meje dhe le ta mbante kokën si të donte, mjafton të pozonte vetëm për mua, në këtë çast pra, Zelensky hyn në sallën e konferencave të shtypit.

Mata distancën me sy. Ishin më shumë se 30 hapa, një largësi e konsiderueshme për një fotograf amator si unë. Atëherë fillova të shkrep pa pushim, duke u përpjekur të lexoj fytyrën e njeriut që po bënte një luftë me fuqinë më të madhe ushtarake të botës.

Kur fotografon, mësohesh të kuptosh çfarë mendon një njëri në atë moment.

Fytyra e Zelensky-t i ngjante një harte lufte. Aty ka lot, ka trishtim, ka dëshpërim, ka shpagim, ka zhgënjim, siç ka dhe shpresë. Mua m’u duk sikur Zelensky ishte aty, por mendonte për disa të vdekur të dashur. Ose disa të dashur, që kishin vdekur.

Zelensky dukej si një njeri që organizonte përditë funeralet e viktimave, që lufta e dy superfuqive shkaktonte çdo ditë në tokën e vendit të tij. Pas funeraleve kthehet në zyrë dhe fshin lotët, por në rrëmujën e punëve që bën, ka raste që ndonjë lot mbetet, për t’u kapur nga fotografë amatorë si puna ime.

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin