Partizani luan nesër një transfertë shumë të vështirë ndaj Kukësit, por duhet të themi se të tria sfidat e radhës për të kuqtë janë shumë të rëndësishme dhe përcaktojnë shumë mbi fatin e këtij sezoni të ekipit të Kolelës.
Ajo ndaj Kukësit përbën një rëndësi të veçantë, pasi më pas në kampionat luhet ndaj Tiranës, një ndeshje shumë e rëndësishme për pikët, por edhe për pjesën emocionale. Në rast fitoreje, të kuqtë do t’u bënin presion bardhebluve për kreun dhe do të shkonin me moralin e duhur në derbin ndaj kampionëve në fuqi. Nga ana tjetër, një barazim apo humbje do t’i jepte mundësinë Tiranës të shkëputej dhe të shkonte në përballjen e 6 marsit e distancuar dhe me qetësinë e duhur emocionale.
VLLAZNIA – Gjithsesi, para se të luajnë derbin, të kuqtë duhet të përballojnë një tjetër ndeshje të rëndësishme për fatet e sezonit, pasi në Shkodër më 1 mars luhet raundi i parë çerekfinal i Kupës. Ky kompeticion nuk sjell të ardhura të mëdha financiare, por tri umfi final siguron një vend në raundin e dytë eliminator të Kupës. Nga ana tjetër, kjo ndaj Vllaznisë është një ndeshje shumë e rëndësishme edhe për prestigjin e të dyja ekipeve, pasi përballen dy gjigantë të futbollit shqiptar dhe vitin e shkuar ishin pikërisht shkodranët që e eliminuan Partizanin nga Kupa. Këtë herë duhet të jetë momenti i revanshit. Kupa është Plani B i vetëm për “demat”.
TIRANA – E programuar për t’u luajtur më 6 mars në orën 19:00, ajo ndaj Tiranës është një përballje shumë vendimtare, e cila do të tregojë edhe rrugën që do të ndjekin “demat” në vazhdimin e këtij sezoni. Në përballjen e 6 marsit, më pak se 24 orë nga përvjetori i mësonjëtores së parë shqipe, dy të mëdhenjtë e kryeqytetit do të përpiqen t’i japin mësime futbolli njëra-tjetrës. Beteja ndaj Tiranës mund të jetë një “certifikatë” e forcës së Partizanit, që ka shfaqur shumë luhatje në këtë sezon.