MENU
klinika

Zonat më problematike

Demografia, faktor jetik për të ardhmen e vendit

26.02.2023 - 11:02

“Demography is destiny”- demografia është kthyer në një faktor jetik, është një nga shprehjet kryesore të analistëve të ngjarjeve ekonomiko-politike. Kjo pasi shumë nga ngjarjet me të cilat përballet një vend parashikohen thuajse në mënyrë të saktë nga cikli demografik i tij. E nëse projeksionet demografike do të vazhdojnë të ndjekin të njëjtin ritëm, e ardhmja e Shqipërisë duket sa e qartë, aq edhe e zymtë.

Pas censit të vitit 2001, INSTAT hartoi disa projeksione për të ardhmen demografike të Shqipërisë.

Sipas projeksionit më pesimist, me emigracion të lartë dhe numër të ulët të lindjeve, popullsia e Shqipërisë duhej të rritej nga 3.05 milionë në thuajse 3.2 milionë banorë gjatë 10 viteve të ardhshme (pra deri në 2011).

E vërteta rezultoi shumë më pesimiste. Në censin e vitit 2011, popullsia kishte rënë nën 2.9 milionë banorë. Në mungesë të censit të vitit 2021, projeksionet më optimiste aktuale nuk parashikojnë një shifër më të lartë se 2.8 milionë banorë.

Cikli demografik i një vendi mbart rëndësi të lartë për projeksionet afatgjata të zhvillimit ekonomik. Një shoqëri me popullsi në rritje është një shoqëri me popullsi mesatare të re.

Ajo përmban rreziqe të konflikteve sociale, por edhe energjinë sipërmarrëse të ambicies së një brezi të ri. Një shoqëri e vjetër, nga ana tjetër, është një shoqëri ku ambicia zhduket, cilësia e forcës punëtore nuk përmirësohet dhe qëndrueshmëria fiskale bëhet më e vështirë.

Shqipëria nuk është vendi i vetëm që po përballet me një situatë të tillë. Një pjesë e madhe e botës së zhvilluar sot ka një shtesë natyrale të popullsisë – pra lindjet nga popullsia lokale – negative. Këto vende kanë arritur ta zbusin këtë prirje, vetëm falë emigracionit, që vazhdon të ushqejë popullsitë e tyre me fuqi punëtore.

Situata më problematike është në vendet e ish-Bllokut Lindor, ku Shqipëria bën pjesë po ashtu. Megjithëse stili i jetesës ka filluar t’i ngjajë jetës perëndimore – popullsi urbane, martesa në moshë më të shtyrë, familje të vogla – standardet ekonomike janë ende larg vendeve perëndimore.

Kjo bën që vendet e këtij blloku, jo vetëm të mos jenë destinacioni kryesor i emigrantëve, por shpesh të kthehen vetë në burim emigracioni drejt vendeve të Europës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut.

Përpjekjet e shumta të mjaft vendeve për të rritur numrin e lindjeve në shoqëritë përkatëse, falë masave të ndryshme fiskale, duket se kanë dështuar. Çdo lloj rritje duket e përkohshme dhe tendencat afatgjata janë thuajse të pandikuara nga masat e ndryshme. Mediat e huaja kanë analizuar së fundmi se masat me stimuj fiskal në përgjithësi kanë rezultuar më të kushtueshme dhe pa efekte afatgjata.

Dilema kryesore që kanë shoqëritë është se si duhet të përballen me këtë fenomen, thuajse të panjohur më parë në historinë e njerëzimit. Vendet e zhvilluara po zbatojnë një miks masash ekonomike dhe shoqërore për t’u përballur me këtë proces. Vendet me një histori më kozmopolitane po përpiqen të tërheqin emigrantë, por duke u fokusuar sa më shumë tek ato grupime që janë lehtësisht të integrueshëm në shoqëritë e tyre.

Të tjerë po eksperimentojnë me automatizim të proceseve të punës, duke rritur kështu eficiencën e punonjësve edhe në moshë të rritur, ose duke i zëvendësuar ata. Në vendet e Europës Jugore, e njohur për problemet e mëdha me borxhin publik, rritja e moshës së pensionit është thuajse e detyrueshme tashmë, pavarësisht kundërshtive të mëdha politike.

Por shumë prej këtyre masave janë të pavlefshme për rastet si Shqipëria. Siç e thamë më sipër, vende me standardin e jetesës, të krahasueshëm me Shqipërinë, nuk janë kurrë objektivi afatgjatë i emigrantëve.

Për më tepër, vendet e Europës Lindore, për shkak edhe të historisë tërësisht të ndryshme dhe mungesës së lidhjeve nga epoka koloniale, kanë pak ose aspak dëshirë dhe elasticitet social për të mirëpritur grupime të reja popullsie, për shkak të mungesës së kësaj përvoje në të shkuarën..

Automatizimi i proceseve të punës është po ashtu larg mundësive të shoqërive ende në zhvillim, apo me ekonomi të dominuar nga procese pune me vlerë të shtuar të ulët. Megjithëse shumë prej këtyre zhvillimeve teknologjike do të kishin ndikim pozitiv edhe në ekonomi si Shqipëria, ato janë thuajse ende të paarritshme për kompanitë dhe bizneset e thjeshta shqiptare.

Shpresa mbetet te ruajtja e një lloj marrëdhënieje afatgjatë me diasporën – një lidhje ku një pjesë e popullsisë së larguar vazhdon të investojë, apo të jetojë pjesërisht, në vendin e origjinës, duke sjellë me vete kapitale dhe njohuri të reja. Kjo lidhje do të zbuste efektet fiskale të plakjes së shoqërisë dhe do të sillte energjinë për sipërmarrje që zakonisht mungon në shoqëritë që vjetrohen.

Por që diaspora të vazhdojë të kontribuojë për vendin e origjinës e jo gjetkë, duhet të fillojë të gjejë këtu kushtet e vendeve ku jeton sot: sigurinë, lirinë, dinjitetin njerëzor, cilësinë e shërbimeve publike dhe parashikueshmërinë. Të gjitha këto duket se mbeten ende të vështira për vendin tonë.

“Demography is destiny”- demografia është kthyer në një faktor jetik, është një nga shprehjet kryesore të analistëve të ngjarjeve ekonomiko-politike. Kjo pasi shumë nga ngjarjet me të cilat përballet një vend parashikohen thuajse në mënyrë të saktë nga cikli demografik i tij.

E nëse projeksionet demografike do të vazhdojnë të ndjekin të njëjtin ritëm, e ardhmja e Shqipërisë duket sa e qartë, aq edhe e zymtë./monitor