Europa League ka zhvilluar ndeshjet e kthimit për fazën e 1/16 me eliminim direkt, duke mësuar skuadrat e kualifikuara. Në Francë, Juventus fitoi 0-3 me Nantes falë dopietës së Di Marias, për të marrë një biletë vazhdimësie. Sportingu i Lisbonës fitoi 0-4 me Midtjylland, teksa Sevilla edhe pse humbi 2-0 me PSV-në në Holandë, kalon më tej falë fitores në ndeshjen e parë. Barcelona eliminohet nga Manchester United pas humbjes 2-1. Pas dy ndeshjeve me rezultat 3-2, Leverkusen kaloi Monacon me penallti. Në ndeshjet e tjera, Roma fitoi 2-0 me Salzburg duke kaluar më tej. Union Berlin surprizoi Ajaxin duke e mundur dhe eliminuar nga Europa League.
Në stadiumin “de la Beaujoire”, Nantes vendase humbi 0-3 me Juventusin. Edhe pse barazuan 1-1 në ndeshjen e parë në Itali, Nantes nuk mundi të ngacmojë big-ët e Europës, teksa Di Maria ka qenë vendimtar në këtë duel. Argjentinasi shënoi tripletë në këtë takim, duke qenë engjëlli i Juves. Mëngjarashi hapi ndeshjen në minutën e pestë me një perlë nga 24 metër, pas asistit të Fagiolit. Në të 20 minutë Di Maria ktheu në gol një penallti të fituar nga vetë ai. Në pjesën e dytë sërish argjentinasi në të 78 minutë shënoi golin e tretë për t’i vënë “vulën” një mbrëmje magjike.
Në “Old Trafford”, Manchester United fitoi 2-1 me Barcelonën në 1/16 e Europa League. Ndeshja e parë në Spanjë përfundoi 2-2, me anglezët që kalojnë në turin e radhës duke lënë pa Europë djemtë e Xavit. Ndeshja në ishull nisi mirë për miqtë, teksa Lewandowski kaloi të tijtë në avantazh në minutën e 18-të nga pika e bardhë e penalltisë. Në pjesën e dytë ka qenë Fred që në të 47 minutë barazoi ndeshjen, teksa për “Djajtë e Kuq” u kujdes Antony në të 73 minutë që të përmbyste ndeshjen. Kësisoj, United nxjerr jashtë Barcelonën në një ndeshje që mund të ishte edhe finalja e këtij kompeticioni. Përballja ka qenë e luftuar, duke mos munguar as përplasjet në fushë.
Rezultatet: