Gazetarja investigative, Klodiana Lala, është shprehur se nuk ka interes nga asnjëra palë politike për zbardhjen e çështjes CEZ-DIA.
Komentet Lala i bëri teksa ishte e ftuar në emisionin “Log” në Panorama TV, ku tha se CEZ-DIA është një aferë dhe jo një histori e thjeshtë, që sipas saj duhet hetuar deri në fund.
Nga ana tjetër gazetari Artan Hoxha tha se kjo histori është e ngjashme me aferën “McGonigal” dhe sipas tij, edhe në këtë histori kishte një shtetase amerikane në mes.
Ai shtoi se shpreson që në SPAK të thirren figura nga të treja palët politike për të dëshmuar, mes tyre edhe ministra të qeverisë së majtë.
Pjesë nga biseda në studio:
Hoxha: Kjo është pjesë e materialit që ka prokurori. Kemi një tjetër dëshmi që është dhënë në Austri. Kjo është një çështje që i është bërë presion drejtësisë dhe u mbyll veteëm me rastin Ismailaj. Ndërkohë bashkeshortja dhe familja e tij u larguan jashtë vendit për të kërkuar azil politik në Austri.
Unë u paraqita në prokurori kur më kërkuën, dhe i vura në dispozicion të hetimit informacionin që kisha unë. Kishte dy filmime që i shërbejnë historisë. Është e ngjashme me historinë e McGonigal. Edhe këtu kishte një amerikane. Nëpërmjet këtyre parave ishin bërë pagesat që kërkojnë prokurorët. Sot kanë ndryshuar rrethanat, nuk është më i njëjti presion. Prokuroria sot ka më shumë mjete, si logjistike, ligjore fizike. Prokuroria sot ka vendosur të veprojë.
Unë shpresoj që aty të shikojmë ministra të qeverisë së majtë që do të thirren aty. Nëse kjo çështje kufizohet vetëm te Meta, atëherë është ajo që thotë Meta. Për mua është një bast i vërtetë për aftësitë e SPAK. Detaje të pamjeve nuk mund të jap se janë çështje të hetimit. Ka aq shumë çështje saqë mua më vinte çudi që hetimet nuk shkonin deri në fund.
Lala: Unë e mësova nga burimet që Meta po shkonte në SPAK. Në momentet e para disa nga gazetarët ishin në vështirësi sepse po aludonin për atë që ai mund të ishte thirrur. CEZ-DIA është një aferë dhe jo një histori e thjeshtë. Drejtësia shqiptare ka dënuar me 11 vite burgim biznesmenin Kastriot Ismailaj. Por kjo është një histori me mbrojtje politike. Në 2017 kur u dha vendimi për Ismailajn drejtësia ishte në presion.
Aty kanë qenë të përfshira të gjitha palët politike dhe askujt nuk i intereson zbardhja e aferës. Nuk ka patur interes për zbardhjen e çështjes. Çfarë ishte afera. Çekët kontraktuan disa kompani shqiptare, njëra e Ismailajt, për mbledhjen e borxheve. Ajo çfarë ndodhi ishte se kompania në fjalë prodhoi vetëm dokumenta fiktive. Nuk mblodhi as fatura asgjë. Tani çfarë ndodhi. I ndjeri Dritan Prifti pati një deklaratë dhe një dëshmi. Kishte një akuzë të rëndë ndaj Metës dhe sipas tij Meta ishte njeriu që kishte dërguar si person të besuar të tij Kastriot Ismailajn te çekët e ÇEZ. Qeveria shqiptare e prishi në mënyrë të njëanshme kontratën dhe çështje shkoi në arbitrazh.
DIA kërkonte 130 milion euro. Kjo histori është hapur në vitin 2019 nga një kallëzim i juristit Romeo Karaj. Problemi është i tillë. SPAK është duke hetuar rolin e Metës. A është vërtet Meta i lidhur me Ismailajn. Nëse e ke sugjeruar dhe ke bashkëpunuar me të, atëherë është një aferë. Nëse mbetet te kjo historia e lobimit nuk ka gjë të keqe, por nëse janë pranuar para, etj, për këtë po hetohet.