MENU
klinika

Miliona në verë për Tiranën

Dy titullarët e bardhebluve priten të shiten merkaton e ardhshme

17.02.2023 - 13:15

Largimet te Tirana, duke mbushur arkat e klubit, duket se nuk do të ndalen as në verë. Janë disa lojtarë, të cilët janë pjesë e bardhebluve, por që kanë oferta nga klube të ndryshme dhe që mund të largohen në merkaton e verës.

Bëhet fjalë për sulmuesin Florent Hasani dhe portierin Visar Bekaj. Të dy lojtarët janë nën shënjestrën e disa klubeve të huaja dhe nuk përjashtohet mundësia që ata të largohen në verë.

Bekaj, nga ana tjetër, duhet të rinovojë edhe kontratën, por gjithsesi, dyshja janë lojtarët potencialë, të cilët mund të shiten në verë. Të dy vlerësohen 400 mijë euro, ndërsa ata janë nga lojtarët më cilësorë të skuadrës.

Po kështu, edhe Behiratçe dhe lojtarë të tjerë mund të jenë nën shënjestrën e menaxherëve të skuadrave europiane. Dy lojtarët janë titullarë të padiskutueshëm në skuadër dhe forca të rëndësishme të manovrës së badhebluve në dy ekstremitetet e reparteve.

SHITJET E LOJTARËVE – Shitjet e lojtarëve në verë dhe në dimër sollën një tjetër shumë të madhe parash.

Në verë u shitën Ardit Toli, Taulant Seferi dhe Enur Totre. Të tre sollën 820 mijë euro. Një shumë goxha e madhe për skuadrën shqiptare.

Nga ana tjetër, shitja e Xhixhës dhe Ismajlgecit në dimër sollën 700 mijë euro. Në total janë 2.4 milionë euro që Tirana ka grumbulluar nga një sezon.

Mund të themi se ky është sezoni më i suksesshëm i Tiranës dhe një skuadre shqiptare për sa i përket anës financiare, pas Skënderbeut që u kualifikua dy herë në fazën e grupeve.

Tirana, edhe në këtë moment që flasim, është e para dhe pretendentja kryesore për t’u shpallur kampione e Shqipërisë. Tre trofe pretendon të fitojë Tirana këtë sezon. Skuadra bardheblu është e para në renditje, ka fituar Superkupën e Shqipërisë dhe është në çerekfinalen e Kupës.

LARGIMET – Merkatoja dhe largimet kanë bërë që skuadra të shohë të gjithë kampionët larg vetes. I pari iku kapiteni Erjon Hoxhallari.

Më pas, pikërisht pas Europës rrugën morën Seferi, Toli e Totre. Hemorragjia e largimeve te kampionët vazhdoi edhe në këtë janar, teksa ikën po kështu edhe dyshja Marsel Ismajlgeci e Redon Xhixha, si dhe Vesel Limaj.

Shkurt, shtatë titullarë të skuadrës i dhanë lamtumirën bardhebluve. Një zbrazje e madhe e ekipit, që doli kampion i Shqipërisë majin e shkuar.