MENU
klinika

Tre ditë afat

Emiri i Katarit po blen klubin e Mançester Junajtid

15.02.2023 - 14:26

Emiri i Katarit është duke përgatitur një ofertë mbi 4 miliardë paund për të blerë klubin e Mançester Junajtidit këtë javë dhe pritet ta dorëzojë atë përpara se të skadojë afati i pritjes së ofertave nga familja Glejzër, të premten.

“The Guardian” raporton se sundimtari i Katarit, sheiku Tamim bin Hamad Al-Thani, do të dorëzojë ofertën përmes Autoritetit të Investimit të Katarit, që ka një buxhet prej 370 miliardë paundësh.

Ata i kanë vendosur kontaktet e para me familjen amerikane që zotëron aksionet e “Djajve”. Glejzërat dëshironin 6 miliardë paund për shitjen e aksioneve të 20 herë kampionëve të Anglisë, por emiri 42-vjeçar, nuk beson se vlera e klubit anglez i kalon 4.5 miliardë paundët dhe nuk do të bëjë një ofertë më të lartë se kaq.

Dhe sheiku Tamim, pasuria personale e të cilit është 1.6 miliardë paund, është gjithashtu edhe pronari i PSGsë, përmes kompanisë “Qatar Sports Investment”.

Kjo do të thotë se ai duhet ta regjistrojë pronësinë e klubit të Mançester Junajtidit në rast se do të shpallet fitues, me një personel të ndryshëm, në mënyrë që të dyja klubet europiane të kenë mundësi që të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve.