MENU
klinika

Volejboll për meshkuj

Erzeni përmbys Tiranën, Studenti leksion Teutës

13.02.2023 - 14:46

Pasi e kishte mundur 3-2 në fazën e parë, Erzeni ka marrë një tjetër fitore përballë Tiranës, këtë herë në shifrat 1-3 në takimin e luajtur të shtunën në sallën “Farie Hoti”, sfidë e vlefshme për javën e nëntë të Superligës së volejbollit të meshkujve.

Shijakasit, të mbështetur nga tifozëria e tyre e zjarrtë, dolën me 3 pikë nga supersfida e javës, duke marrë një sukses me përmbysje në kryeqytet, për të realizuar edhe parakalimin në renditje ndaj Tiranës. Një ndeshje që nisi me një ceremoni homazhi në nderim të viktimave të tërmetit tragjik në Turqi, me lojtarin turk të Tiranës, Ali Berke Sagir, që mbante në dorë flamurin e vendit të tij. Momente emocionuese, të cilat më pas i lanë vend takimit. Seti i parë startoi furishëm për bardheblutë e Arben Sakos, të cilët dominuan në çdo aspekt për të fituar thellë 25-14. Por miqtë nga Shijaku fusin “turbon” në setin e dytë, teksa marrin kryesimin 3-13 për ta fituar më pas setin 19-25.

Seti i tretë nisi më epërsinë e Tiranës, por Erzeni reagoi duke marrë kontrollin, ndërsa një “ace” nga Sabliqi vulosi setin 23-25 duke përmbysur në 1-2. Edhe në setin e katërt, janë vendësit që e fillojnë më mirë, por më tej komandojnë sërish shijakasit, teksa në fund Garunja me bllok fitues vulos setin 22-25 dhe të gjithë takimin 1-3 në favor të skuadrës që drejtohet nga Parit Uruçi. Paraqitje fantastike nga Guilherme Soares, autor i 21 pikëve. Braziliani, i afruar në fundin e merkatos së dimrit, ka arritur të përshtatet menjëherë tek Erzeni dhe po bën diferencën në parket. Për Tiranën rendimentin më të lartë në sulm e kishte i zakonshmi Ledion Martiro, autor i 20 pikëve. Në ndeshjen tjetër të zhvilluar të shtunën në sallën e Farkës, Studenti likuidoi Teutën me rezultatin e pastër 3-0. Kryeqytetasit vijojnë kështu kthesën në këtë pjesë të dytë të sezonit, duke shënuar suksesin e dytë radhazi në kampionat.

Gjithsesi, ndeshja ndaj bregdetarëve ishte interesante dhe e luftuar në të tria setet. Por Studenti u tregua më i saktë për t’i fituar setet, përkatësisht në shifrat 25-21, 25-21 dhe 25-20. Tjetër provë e shkëlqyer nga braziliani Fernandes Rocha, autor i 15 pikëve për Studentin, ndjekur nga Armando Gaxiri me 12. Për Teutën spikati Emiljan Xhebrahimi me 14 pikë. Kujtojmë se të premten Partizani mundi 3- 1 Elbasanin, sukses që tashmë i mban “demat” e Ylli Tomorrit në vend të parë. Ndërsa Vllaznia mposhti me përmbysje në transfertë Skënderbeun në shifrat 2-3.