MENU
klinika

“Na ka rënë në dorë kaseta audio, ku flitet për…”

Familjarët e viktimave të 21 janarit nuk besojnë Prokurorinë e Tiranës

17.02.2023 - 10:28

Ndërsa para Parlamentit ishin grumbulluar protestues që kërkonin dorëheqjen e kreut të qeverisë, në godinën e SPAK mbërrijnë familjarët e viktimave të 21 janarit.

Ata depozituan një tjetër kallëzim në Prokurorinë e Posaçme, në të cilën shquhen 4 të kallëzuar. Kallëzimi përmban 10 pika dhe është firmosur nga 7 familjarë të katër të vrarëve të protestës së dhunshme të opozitës së atëhershme socialiste, e cila që prej 11 vjetësh është në pushtet. Familjarët e viktimave të asaj ngjarjeje të rëndë kërkojnë që çështjen ta rimarrë SPAK dhe mos t’ua lërë në duar prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës, pasi familjarët nuk kanë besim në hetimet e këtij dikasteri. Në kallëzimin prej 10 pikash, ata në fokus kanë moszbardhjen e 2 nga katër vrasjet, ndërkohë që nga gjithë ‘skuadra e zjarrit’ ata kanë kallëzuar vetëm ish-gardistin Agim Llupo! Edhe pse në atë skalion mbrojtjeje kanë qenë të paktën 6 persona që përbënin këtë skuadër, një prej të cilëve sot gjendet në kryer të Bashkisë së Burrelit, në kallëzim është vetëm emri i atij që u arrestua dhe u hetua për atë ngjarje.

NË SPAK
Përtej bulevardit ku mbetën të vrarë të afërmit e tyre, familjarët e Aleks Nikës, Hekuran Dedës, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizit i bëri bashkë rrugëtimi drejt SPAK. Të pakënaqur me shpalljen e moskompetencës ata këmbëngulin angazhimin e prokurorëve të posaçëm për të hetuar “21 Janarin” dhe njëkohësisht kërkojnë hapjen e hetimit edhe për dy vrasjet që u zbardhën.

“Ne na ka rënë në dorë një kasetë, audio ku flitet për mekanizmin që ka përdorur garda. Aty identifikohet zëri i komandantit të gardës ku thuhet të qëllohet në mish. E dorëzojmë këtë vetëm te SPAK se te Prokuroria nuk kemi besim. Ka një ndikim politik nëse nuk merret, se përgjigjen ata duhet të na i jepnin me shkrim, ata ia kanë kaluar Prokurorisë, por Prokuroria nuk ka këllqe ta hetojë këtë gjë. Ata thonë nuk kemi prova, s’mund të na i refuzojë”, u shpreh Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës. “Në shenjë proteste për refuzimin që ka bërë SPAK ku mbetën të vrarë babai im dhe tre të tjerë që ia delegon kompetencat Prokurorisë së Tiranës”, tha Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtajt.

I bëjmë thirrje që të hetojë çështjen, nuk ka besim populli”, tha Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës. “S’jemi të kënaqur fare nga gjykimi i mëparshëm, në kërkesat tona ka qenë gjithmonë për drejtësi prandaj u drejtuam në SPAK, do bëjmë kërkesat tona që të rihapet edhe një herë”, tha Alma Veizi, bashkëshortja e Ziver Veizit. Por pretendimet e tyre u dëgjuan vetëm nga mediat, kurse kallëzimin ata thanë se do ta dorëzojnë me postë. Sërish në SPAK, tek e njëjta Prokurori që deklaroi se kjo çështje nuk i përket dhe se hetimet duhet t’i kryejë akuza e kryeqytetit.

Në fakt, vrasja e Hekuran Dedës dhe plagosja me pasojë vdekjen e Aleks Nikës kanë mbetur sot e asaj dite pa autor. Edhe pse u pretendua se ngjarja u hetua, për këto dy vrasje nuk u mor vesh asnjëherë as arma nga doli plumbi që iu mori jetën dhe as personat që qëlluan në drejtim të tyre. Megjithatë, SPAK pritet ta shqyrtojë sërish kallëzimin e bërë nga familjarët dhe të vendosë nëse do të nisë hetime në lidhje me të apo do ta delegojë sërish për moskompetencë në Prokurorinë e Tiranës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN