MENU
klinika

Kriza e kostos së jetesës vijon të rëndojë

Familjet europiane, në vështirësi për të paguar faturat

27.02.2023 - 15:21

Nisi me energjinë, por duket se kriza e kostos së jetesës tashmë është përhapur në të gjithë sektorët duke goditur Europën, por dhe vendet e tjera.

Problemi ka shumë përbërës, por ai që shqetëson më shumë liderët politikë dhe që prek më shumë familjet është inflacioni i çmimeve të ushqimeve. Në muajin shkurt, çmimet e gazit në Europë ranë në nivelin më të ulët në pothuajse 18 muaj, megjithatë, çmimet e ushqimeve po vazhdojnë trendin e tyre rritës.

Në janar, çmimet e ushqimeve në të gjithë Bashkimin Europian u rritën mesatarisht me 18.4% krahasuar me një vit më parë. Hungaria cilësohet si ‘kampione’ e rritjes së çmimeve të ushqimeve me 48.2%, e ndjekur nga Lituania me 32% dhe më pas Sllovakia me 28.6%. Rritjet më të ulëta të çmimeve u shënuan në Zvicër: 5.8% dhe Qipro me 10.3%.

Sipas Raportit të Riskut 2023 të Forumit Ekonomik Botëror, ndikimi i krizës së kostos së jetesës është kërcënimi më serioz për komunitetin global.

Çmimet e ushqimeve rriten duke rritur paralelisht pasigurinë ushqimore dhe tensionet sociale. Gjithashtu shtrëngojnë buxhetet e qeverive që po luftojnë me rritjen e faturave të importit të ushqimit dhe zvogëlimin e kapacitetit për të financuar mbrojtje shtesë sociale për më të cënuarit. Lufta në Ukrainë gjithashtu ka kontribuar në këtë problem. Pushtimi nga ana e Rusisë bëri që çmimi i drithërave dhe produkteve të tjera kryesore të rritet në nivele rekord.

Rritjet e normave të interesit kanë lehtësuar presionet e çmimeve, por analistët thonë se moti, lufta dhe kostot materiale mund të mbajnë çmimet e ushqimeve të larta dhe për më gjatë. Kriza aktuale ka shkaktuar protesta në rrugë në shumë vende europiane dhe greva në të tjera, si në Mbretërinë e Bashkuar, ku punëtorët e sektorit publik po përplasen ende me qeverinë për pagat dhe kushtet e punës.

Sipas parashikimeve besimi i konsumatorëve do të përmirësohet në fund të vitit 2023, por do të duhet më shumë kohë për të zgjidhur krizën e kostos së jetesës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Nuk do të na mbarojnë makaronat!"

A do të vuajë Europa një krize urie?

Eurostat/ Në vend janë rritur me 15% nga 2015

Cilat shtete kanë çmimet më të shtrenjta të energjisë elektrike?