MENU
klinika

Paralajmëroi tërheqjen nga politika

Gjukanoviç propozohet sërish si kandidat për mandat të ri 5 vjeçar

24.02.2023 - 20:52

Pavarësisht se ditë më parë, presidenti malazez, Milo Gjukanoviç paralajmëroi tërheqjen e tij nga politika, sot Partia Demokratike e Socialistëve e propozoi atë si kandidat të partisë në zgjedhjet e ardshme presidenciale.

Njoftimin e bëri vetë llogaria e Gjukanoviç nëpërmjet një postimi në twitter. Vendimi u mor në mbledhjen që partia mbajti ditën e sotme. Gjukanoviç siç duket është ende i parapëlqyeri brenda partisë së tij dhe prandaj mori mbështetje unanime për të hyrë në garë për një mandat të ri pesëvjeçar në krye të shtetit.

Zgjedhjet janë përcaktuar për t’u mbajtur në 19 mars dhe kandidatët duhet të dorëzojnë aplikimet e tyre deri në 26 shkurt pranë komisionit shtetëror të zgjedhjeve.

Gjukanoviç është një politikan, pushteti i të cilit në Mal të Zi ka qenë i pakontestueshëm që nga vendosja e sistemit shumëpartiak më shumë se 30 vjet më parë.

Ai u zgjodh për herë të parë president më 1997 dhe këtë postë e ka ushtruar deri më 2003. Ai po ashtu fitoi mandatin e dytë si president në zgjedhjet e prillit të vitit 2018. Ai po ashtu ka udhëhequr lëvizjen për pavarësinë e Malit të Zi. Deri më tani, kandidatët e konfirmuar për zgjedhjet presidenciale janë lideri i Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiç, dhe zëvendëskryetarja e Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviç Stankoviç.

Në një intervistë të dhënë për mediat e Malit të Zi, Gjukanoviç deklaroi ditë më parë se ndihej i lodhur dhe se mendonte se ndoshta për vendin do të ishte më mirë një president i ri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Moska dha miliona edhe për Shqipërinë”

‘Pobjeda’ e Malit të Zi: Sali Berisha, pikë kontakti e Rusisë