MENU
klinika

Babai mbante dorën e vajzës së tij nën rrënoja

Historia rrëqethëse pas fotos virale

12.02.2023 - 12:29

Burri që u shfaq në foto quhet Mesut Hançer dhe fatkeqësisht ka treguar se e bija, Irmak, 15 vjeç nuk arriti t’i mbijetojë tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë.

Mesut tregoi makthin e përjetuar duke u shprehur se ka gërmuar me duart e tij për të shpëtuar të bijën 15-vjeçare, por ajo nuk arriti të mbijetonte. Por edhe pse e bija kishte ndërruar jetë, Mesut refuzonte t’ia lëshonte dorën dhe të shkëputej prej saj.

Në intervistën e dhënë mbi varrin e së bijës, ai tregoi se ishte duke punuar në furrë buke kur ndodhi tërmeti.

Ai tha se gruaja dhe fëmijët e tjerë ishin të sigurt dhe shëndoshë e mirë, ndërsa 15-vjeçarja kishte shkuar te shtëpia e gjyshes, pasi kishin ardhur të afërm dhe ajo donte të ishte me ta.

“Po punoja në furrë buke kur u drodh toka. Telefonova gruan dhe ajo më tha se dy vajzat dhe djali ishin të sigurt, ndërsa vajza e vogël nuk fjeti në shtëpi atë natë, por në divanin e shtëpisë së gjyshes”, rrëfeu 49-vjeçari.

“E mora në telefon dhe nuk përgjigjej”, shtoi ai dhe tregoi se shkoi menjëherë drejt rrënojave, ku iu lut Zotit që familja dhe shtëpia e tij të ishte e plotë dhe të mos kishte të lënduar.

Irmak ndërroi jetë të hënën, pasi një bllok masiv ra sipër saj. Sipas zërave, 15-vjeçarja qëndroi për disa ditë nën rrënoja dhe më pas, autoritetet arritën të nxirrnin trupin e saj, për ta dorëzuar te familja.

Mbi momentin prekës ka folur edhe fotografi i “AFP”, Adem Altan, i cili shkrepi foton dhe më pas, ajo bëri xhiron e rrjetit. “Ndërkohë që bëja foton, ishte kaq e trishtueshme. Vazhdoja t’i përsërisja vetes: “Çfarë dhimbjeje e papërballueshme”. Nuk ndaloja dot së qari”, tha fotografi.

“Isha pa fjalë”, vijoi ai dhe më pas tregoi se e pyeti të atin për emrin e tij dhe atë të vajzës së ndjerë.

Përmes kësaj fotoje, u transmetua e gjithë dhimbja e tërmetit fatal dhe e njerëzve që po vuajnë pasojat e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Gjashtë ditë nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë

Foshnja 2-muajshe shpëtohet nga rrënojat në Hatay