Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një vizitë në Pentagon në SHBA.
Ish-kryeministri i Kosovës njofton në rrjetin e tij social “Facebook” se është takuar me Andrew L. Winternitz, i cili është Drejtori Kryesor i Departamentit të Mbrojtjes për Europën dhe Politikat e NATO-s.
Haradinaj shkruan më tej se i kërkoi zyrtarit Winternitz që të jetë i vazhdueshëm angazhimi i SHBA-së në forcimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Në takim shpreha falënderimet më të larta për djemtë dhe vajzat amerikane që shërbejnë në Kosovë. Kërkova nga z. Winternitz që angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës të jetë i vazhdueshëm. Duke i falënderuar për mbështetjen e parezervë e cila rezultoi me formimin e Ushtrisë së Kosovës, potencova edhe njëherë se synim i Kosovës është që sa më shpejt të jemi anëtar i NATO-s, në rresht me shtetet prijëse të lirisë dhe demokracisë në botë”, shkruan Haradinaj.