Të shtunën në orën 13:00 Kukësi do të presë në shtëpi Kastriotin, me qëllimin për t’u rikthyer te fitoret dhe për të lënë pas zonën e rrezikut. Mirëpo përballë do ketë një ekip të plagosur, që nuk pajtohet aspak me vendin e fundit në tabelë.
“Ne kemi fituar një ndeshje me Tiranën dhe i kam thënë skuadrës si me bardheblutë, si me Bylisin, si me Kastriotin ndeshjet janë njësoj. Kjo sepse çdo skuadër është e organizuar mirë dhe Kastrioti do të marrë maksimumin përvetë, ndërsa ne nuk do ia lejojmë vetes që të bëjmë një hap fals,”-u shpreh Rrahman Hallaçi, trajner i Kukësit.
Si në merkaton e verës ashtu edhe në janar Kukësi ka qenë ndër më aktivët dhe pretendimet për këtë sezon kanë qenë të larta. Mirëpo tani objektivi ka ndryshuar plotësisht.
“Të shpëtojmë këtë skuadër sepse me këtë investim, me këtë stadium dhe histori që ka krijuar Kukësi duhet ta shpëtojmë nga kategoria. Më pas shpresojmë që nëpërmjet Kupës të arrijmë diçka të mirë,”-tha Rrahman Hallaçi, trajner i Kukësit.
Po të shtunën Laçi që ka 3 fitore rradhazi do të presë në shtëpi Egnatian, ndërsa 2 sfida të javës së 21, Erzeni-Teuta dhe Vllaznia-Tirana janë të parashikuara të dielën, me Bylis-Partizani që mbyll këtë xhiro të hënën.