Shkodra është një nga qytetet me kriminalitetin më të madh në Shqipëri. Qyteti verior i shumëpërmendur si djep i kulturës, në realitet është shumë larg qetësisë së menduar. Policia e Shtetit nuk ka fuqi të vendosë “paqen” mes bandave dhe oficerët e thjeshtë shpeshherë lihen dhe vetëm në luftën e tyre për drejtësi.
Qyteti është i ndarë ndërmjet dy familjeve kryesore, Bajrat dhe Licët. Të parët e kanë epiqendrën e tyre në lagjen Dobraç të Shkodrës, ndërsa vetëm 10 minuta larg tyre janë kundërshtarët e betuar, Licët, që jetojnë në Kiras. Dy bandat e Shkodrës mundohen të shtrijnë dominimin e tyre sa munden në të gjithë qytetin. Lufta për territor, që nënkupton kontrollin e bizneseve dhe gjobave, është e ashpër.
Kjo përplasje mes tyre ka sjellë viktima të shumta, që duket se nuk do të kenë të ndalur deri në momentin që të vendoset paqe mes Bajrajve dhe Licve. A pritet që të ndodhë diçka e tillë? Jo, sigurisht që jo, pavarësisht se konflikti tashmë i lashtë ndërmjet dy familjeve ka nisur për rrethana banale, sepse fillimisht marrëdhëniet mes palëve kanë qenë të mira.
Ervis Martinaj nga krahu tjetër është padyshim ndër emrat më të diskutuar dhe të përmendur të botës kriminale në Shqipëri. Policia e Shtetit ende nuk jep një arsyetim nëse ai është gjallë, apo është vrarë, pasi nuk kanë asnjë gjurmë të tij. Emri i Martinajt, si një ndër “udhëheqësit” më atipik të botës kriminale në Shqipëri, ngjall gjithmonë kuriozitet dhe lajmet për të kërkohen me lup. Replika meson se Martinaj ka një lidhje të ngushtë me qytetin e Shkodrës.
Lidhja e Ervis Martinajt me Shkodrën
Shumë zëra dhe lajme qarkullojnë për Ervis Martinajn, por rrallëherë, ose aspak flitet për lidhjen e tij të veçantë me qytetin e Shkodrës. Martinaj kishte shumë fortesa në Shqipëri, por një ndër kryesoret e kishte dhe në qytetin verior. Ai ka qëndruar me muaj në Shkodër që në kohët e lulëzimit të tij në biznese, por dhe në momentet e tij më të vështira, pasi qyteti verior i jepte siguri dhe i kishte krahët e sigurtë nga miqësitë e forta që kishte krijuar atje.
Miqësia e Martinajt me Bajrajt e Shkodrës
Replika sjell për herë të parë detajin e fortë të miqësisë së Ervis Martinajt dhe Bajrajve. Një informacion që vjen për herë të parë në mediat shqiptare, pasi asnjëherë nuk është përgojuar më herët. Një lidhje që ka nisur herët rreth viteve 2013 dhe është përforcuar më tepër pas vitit 2018. Ervis Martinaj u fut fuqishëm në tregun e basteve dhe kazinove në Shqipëri, duke dominuar tregun dhe duke u zgjeruar fuqishëm në të gjithë vendin. Ai e nisi biznesin me rreth 250 pika dhe e mbylli me 4000 pika në kohën kur Rama miratoi ligjin kundër tyre dhe nisi aksionin “Fundi i marrëzisë”.
– Ishte pikërisht bashkëpunimi në baste që vendosi rrënjët e para të ndërmjet Bajrave dhe Vis Martinajt. Ky i fundit bashkëpunonte me Enver Bajrin, kokën e familjes, për të shtrirë territorin e tij në Shkodrër. Një marrëveshje që linte të kënaqur të dyja palët dhe vendoste dhe një marrëdhënie bashkëpunimi të fortë në veriun e Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe Vis Martinaj ka qenë dhe në Dobraç, gjithmonë i mbrojtur nga Bajrajt. Ky bashkim forcash bëri që të dominonin pjesën më të madhe të qytetit duke cënuar dhe territoritet e basteve të kontrolluara nga Licët. Herë me dëshirë, e herë pa dëshirë, drejtuesit e lokaleve detyroheshin të merrnin kompanitë e drejtuara nga Martinaj. Ka pasur dhe raste që pronarët e lokaleve, donin të mbyllnin bizneset, pasi nuk mund të prishnin marrëdhëniet as me Licët, as me Bajrajt, por janë detyruar të vazhdojnë punën.
– Mbyllja e basteve në vitin 2018 dhe qarkullimi i emrit të Vis Martinajt forcoi dhe më shumë marrëdhënien mes Bajrajve dhe tij. Vetëm mendjet naïve mendojnë se pas ligjit të hartuar, nuk u punua më me baste në Shqipëri. Kompanitë e basteve punuan në të zezë dhe shmangën taksat, që mendohej se kompanitë e Vis Martinajt paguanin rreth 18 milionë euro taksa në vit. Në një ambient të tillë sërish, fijet e forta lokale dhe kombëtare bënin diferencën. Vis Martinaj u besoi Bajrave që të vazhdonin bashkëpunimin dhe sigurisht frytet e biznesit janë marrë.
Baza “Cansas City” – Dobraçi është nën “mbrojtjen” e Bajrajve që në lagjen e tyre dominojnë dhe nuk lejojnë të kenë interference nga askush. Baza e tyre e mbledhjes është lokali në qendër të kësaj lagjeje “Cansas City”. Aty mendohet të ketë pasur dhe takime ndërmjet Bajrajve dhe Martinajve, sigurisht nën masa të rrepta sigurie, të siguara nga të zotët e shtëpisë. Takime që kanë qenë prezente vazhdimisht gjatë viteve, por kryesisht nga viti 2020 e në vijim.
Autokolona e makinave Martinaj-Bajraj që frikësoi Shkodrën – Baza e Martinajt në Shkodër ka qenë shumë e sigurtë, pasi fisi Bajraj i kishte krijuar mbrojtje. Autokola e makinave luksove e Martinaj dhe Bajrajve lëvizte lirshëm në rrugët e qytetit kryesisht në orët e vona të mbrëmjes dhe orët e para të mëngjesit, madje pa guxuar askush t’u dilte përballë, as forcat e policisë, të pafuqishme për të vepruar. Qytetarët e qyteti verior frikësoheshin kur ndodheshin para një kolone të tillë, e cila ishte drithëruese për këdo duke ditur se çfarë përfaqësojnë emra të tillë në botën kriminale shqiptare.
Kamerat e sigurisë në Dobraç
– Më 14 janar të vitit 2023, Policia e Shtetit sekuestroi 21 kamera sigurie që përdoreshin nga kontigjentë kriminalë për lëvizjet e policisë së Shkodrës. Kamerat janë çmontuar nga uniformat blu. Lagjja Dobraç që nga rrethrrotullimi i Rusit e deri te baza e Bajrave, lokali i tyre “Cansas City” ishte e blinduar me kamera sigurie. Kamerat e sigurisë së Dobraçit mund të jenë shumë të rëndësishme në hetimet e policise dhe mund të mbajnë shumë të fshehta, mbase duhen vëzhguar më mirë.
Hera e fundit e Martinajt në Shkodër
– Vrasja e shokëve deri në kulmimin e eliminimin e krahut të djathtë, Brilant Martinaj çorientoi Visin. Ky i fundit në planifikimin e hakmarrjes u zhduk dhe ende nuk dihet fati i tij me 100 hipoteza. A do të ishte më i sigurtë Vis Martinaj në Shkodër? E thjeshtë të japësh hipoteza, por me shumë mundësi po. Ai mendohet të ketë qenë në qytetin verior sërish para vrasjes së Brilantit, në verën e 2022./Replika