MENU
klinika

Detaje për testin me shkrim

Konkursi për policë në Veri

14.02.2023 - 14:48

Për më shumë se një muaj ka qëndruar i hapur konkursi i Policisë së Kosovës për zyrtarë policorë në Veri. Se sa persona kanë aplikuar nuk dihet, mirëpo, sipas Policisë, mbi 140 i kanë plotësuar kriteret. Tashmë këta 140 persona do t’i nënshtrohet testit me shkrim.

Në konkursin e shpallur të policisë është bërë e ditur se personat që i kanë përmbushur kriteret do t’i nënshtrohen gjashtë testeve: testi me shkrim, testi i aftësive fizike, intervista, testi psikologjik, kontrollimi mjekësor dhe verifikimi i të kaluarës.

Personat që e kalojnë testin me shkrim, do të t’i nënshtrohen testit të aftësive fizik e kështu me radhë deri në përfundimin e të gjitha testeve.

Testi me shkrim do të mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri me datën 20 shkurt 2023 në ora 10:00.

Informatat për mbajtjen e testit me shkrim:

Aplikantët të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit me numër reference DBN07/01/2023 të shpallur me datë 05.01.2023 deri me 10.02.2023 për zyrtarë policorë nga minoritetet, ftohen që t’i nënshtrohen testimit me shkrim i cili do të mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri me datën 20 shkurt 2023 në ora 10:00.

2. Kandidatët nga lista e publikuar duhet të paraqiten në vendin ku është paraparë mbajtja e testimit me shkrim 90 minuta (një orë e gjysmë) para fillimit të testimit.

3. Kandidatët ditën e zhvillimit të testimit me shkrim me vete duhet të kenë si dëshmi: 1. Numrin e aplikacionit (shih në listat e shpallura) dhe 2. Letërnjoftimin,

4. Kandidatët ditën e zhvillimit te testimit me shkrim nuk lejohet të kenë me vete telefon mobil, kalkulator, orë dore digjitale, kamerë, aparat, çantë dore ose stilolaps apo pajisje të ndryshme të teknologjisë informative.

5. Çdo tentim i përdorimit të këtyre pajisjeve dhe tentimi i kopjimit, këmbimit të informatave apo çfarëdo komunikimi tjetër do të pasojë me diskualifikim të menjëhershëm nga procesi i testimit.

6. Paraprakisht ua bëjmë me dije se për arsye të sigurisë së procesit të gjithë kandidatët do ti nënshtrohen kontrollit dhe për këtë arsye ju sugjerohet që të mos merrni me vete gjërat e ndaluara të cekura si më lartë.

7. Nga momenti kur fillon testimi me shkrim nuk lejohet të dalë nga salla, përveç me leje të Komisionit në raste të domosdoshme dhe vetëm të shoqëruar-me përcjellje.

8. Gjatë kohëzgjatjes së testimit me shkrim nga ana e Mbikëqyrësve të sallës do jeni të informuar lidhur me kohën e mbetur për testin me shkrim si p.sh. edhe 60 minuta, edhe 30 minuta, edhe 10 minuta apo edhe dy minuta

Çfarë duhet të dini për testin me shkrim?

– Testi me shkrim përbëhet nga 100 pyetje dhe është i dizajnuar të vlerësojë kandidatin në fushën e njohurive të përgjithshme (40%), gramatikë (30% ) si dhe matematikë (30%).

– Kandidatët në testin me shkrim duhet të shënojnë/plotësojnë përgjigjen në pyetjen e parashtruar nga katër opsionet a,b,c,d se vetëm një është e saktë.

– Rezultati minimal i kërkuar për të kaluar testin me shkrim është 70% të përgjigjeve të sakta nga testi.

– Testi me shkrim zgjatë 150 minuta (dy orë e tridhjetë minuta ) në interval kohor.

-Kandidatet të cilët e kalojnë me sukses testin me shkrim (minimumi 70%), e fitojnë të drejtën për t’iu nënshtruar fazës së dytë-testit fizik.

– Nëse kandidati dështon në këtë fazë të testimit me shkrim, ai/ajo nuk ka të drejtë të vazhdojë në fazat tjera dhe nuk i lejohet përsëritja e testit.

-Të gjithë kandidatët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen në zyrat e Personelit në Drejtoritë Rajonale të Policisë.

Kujtojmë që Policia e Kosovës e shpalli këtë konkurs pas afër 600 dorëheqjeve të pjesëtarëve serbë.