Më 16 shkurt 1918, Korça u mor në administrimin e drejtpërdrejtë të komandës franceze.
Pushkatimi i Themistokli Gërmenjit më 7 nëntor 1917, dobësoi ndjeshëm lëvizjen kombëtare shqiptare. Në vijim, organet e sigurimit francez arrestuan bashkëpunëtorët e ngushtë të Gërmenjit, drejtorin e Policisë Qamil Panaritin dhe komisarin Mehmet Pupe. Duke abroguar Protokollin e 10 dhjetorit 1916, sipas të cilit qyteti i Korçës ishte një krahinë “autonome” e administruar nga shqiptarët nën mbrojtjen e autoriteteve franceze, komanda forcoi kontrollin dhe praninë e saj.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se gjithsesi në krahinë vazhdoi të ngrihej flamuri shqiptar krahas atij francez, si edhe në shkollat që u hapën dhe vijuan me mësimdhënien. Në maj të vitit 1920, forcat franceze u larguan nga Korça, duke marrë fund kështu edhe krahina “autonome” e Korçës.