Temperaturat nën zero në Kukës kanë krijuar ngrica dhe probleme ditën e djeshme. Por, po vazhdon të punohet për kriposjen e rrugës në mënyrë që të shmangen aksidentet. Rrugët janë të qarkullueshme.
Ulja e ndjeshme e temperaturave në 24 orët e fundit ka bërë që në pjesën malore të qarkut Kukës, në lartësinë mbi 800 metra, të ketë reshje dëbore dhe ngrica të shoqëruara edhe me erë. Komisioni I Mbrojtjes Civile I Prefekturës Kukës, njofton se furnizimi me energji elektrike është normal në gjithë territorin e Qarkun Kukës, përveç Nj.Ad Ujmisht, Bushtricë dhe Grykë- Çajë, Bashkia Kukës, fshatrat Kishaj dhe Pogaj të Nj.Ad Gjinaj, fshatrat Cahan dhe Mujaj-Dajç të Nj.Ad Qendër Krumë, fshatrat Vlahen, Perollaj, Helshan dhe Kosturr të Nj.Ad Golaj Bashkia Has,Nj.Ad Lekbibaj, dhe fshatrat Zogaj, Kepenek, Kam të Nj.Ad Bytyq Bashkia Tropojë. Rrugët nacionale dhe bashkiake janë të qarkullueshme normalisht dhe nga subjektet kontraktore po punohet gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të rrugëve që kanë kontratë. Për shkak të borës e ngricave probleme të konsiderueshme pati të dielën në zonën e Shishtavecit në Kukës. Temperaturat atje arrijnë në -10 gradë ndërsa rruga që lidh këtë zonë me doganën e Shishtavecit, është bollkuar disa herë nga erërat e forta.Megjithatë autoritetet njoftojnë se rruga Kukës- Shishtavec dhe ajo e doganës është e hapur dhe qarkullimi kryhet pa probleme.Për drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë aks rekomenadiohet përdorimi i gomave dimërore dhe pajisja me zinxhirë.