Në fundprillin e vitit 1957 lexuesi shqiptar mori romanin e shkrimtarit amerikan Teodor Drajzerit “Një tragjedi amerikane” në dy vëllime, të shqipëruar nga Bujar Doko. Po nga ky autor në vitin 1965 u përkthye dhe u botua romani “Gjeniu”. Të dy veprat janë ribotuar disa herë në vendin tonë. Ato janë përkthyer e botuar edhe në Prishtinë.
“Një tragjedi amerikane” u botua në dhjetor 1925 në dy volume. Me këtë vepër, Drajzer krijoi një rrëfim prekës dhe në të njëjtën kohë të fuqishëm mbi rininë në shoqërinë industriale amerikane. Për vite të tëra, Drajzer kishte mbledhur të dhëna mbi histori të ndryshme të djemve të rinj të dëshpëruar për një vend në shoqëri. Në veçanti, vëmendjen e autorit e tërhoqi çështja e Chester Gillette. Në rajonin Herkimer, Nju Jork, në vitin 1906, Gillette nxori për shëtitje në liqen të dashurën e tij shtatzënë dhe e la të mbytej. Autori i krimit makabër u zbulua shumë shpejt dhe Gillette u dënua me vdekje në karrigen elektrike, vendim që u zbatua në mars 1908.
Gillette ishte personazhi mbi të cilin u krijua Klajdi i Drajzerit. Një i ri i cili fillon punë në fabrikën e xhaxhait të tij dhe që dyzohet mes ndjenjës për një vajzë të thjeshtë dhe ambicies për lidhje me një vajzë të shoqërisë së lartë. Ambicia rezulton më e fortë. Klajdi mëson për shtatzëninë e të dashurës punëtore dhe vendos ta heqë qafe, në kuptimin e parë të fjalës. Klajdi e lë vajzën shtatzënë të mbytet në liqen, megjithatë shpresat e tij për t’u bërë pjesë e shoqërisë së lartë mbyten bashkë me vajzën: Klajdi arrestohet, dënohet dhe ekzekutohet në karrigen elektrike.
Për të shkruar romanin e njohur, Drajzer bëri muaj të tërë kërkime në të dhënat gjyqësore dhe raportimet e gazetave mbi çështjen Gillette-Brown. Qëllimi i Drajzerit nuk ishte të tregonte një histori pasioni dhe krimi, një histori të një vrasësi gjakftohtë. Ndërsa lexon librin, nuk i shpëton dot një lloj keqardhjeje për Klajdin, edhe pse krimi që kreu është makabër. Klajdi ishte fajtor, por edhe viktimë në të njëjtë kohë, viktimë sistemit, kohës, shoqërisë në të cilën jetoi.