Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen pasditen e së hënës në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Bruksel
Fillimisht kryediplomati i BE-së, Josep Borell, do të ketë takime të ndara me të dy liderët, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për këtë proces, Mirosllav Lajçak.
Më vonë do të zhvillohet takimi i përbashkët.
Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se, presin që Kurti dhe Vuçiç të pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.
Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.
Burimet në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se përmbajtja e propozimit është e njohur për palët nga muaji shtator i vitit 2022, dhe nuk ka më nevojë të flitet për këtë përmbajtje.
Një version të përditësuar të planit, palët besohet se e kanë marrë në dhjetor.
Po ashtu, bazuar në përvojën e së kaluarës, zyrtarët e BE-së mendojnë se, nëse do të ketë kërkesë për ndryshim të tekstit, atëherë gjithçka do të duhet të nisë nga fillimi dhe mundësitë për sukses janë të vogla.
Një zyrtar i lartë i BE-së, ka thënë të premten se e kupton që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, nuk e kanë të lehtë të arsyetojnë në vendet e tyre pranimin e marrëveshjes, por nuk kanë pasur zgjidhje më të mirë.
Për Vuçiçin konsiderohet problem fakti që me këtë marrëveshje, sipas interpretimeve të BE-së, Serbia de facto e njeh Kosovën.
Presidenti serb besohet se përballet edhe me presionin e Rusisë që të mos e pranojë këtë propozim.
Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në plan parashihet edhe që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt integrimeve evropiane.
Në anën tjetër, për Kurtin sfida më e madhe peshon te krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Mirëpo në BE nuk kanë asnjë dyshim që me pranimin e propozimit të BE-së, pranohet edhe obligimi për Asociacionin.
“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është pjesë e këtij propozimi. Pra, me pranimin e këtij propozimi nënkuptohet edhe pranimi i zbatimit të obligimit për krijimin e këtij Asociacioni”, ka thënë të premten një zyrtar i Bashkimit Evropian.
Kjo kërkesë i është përsëritur Kurtit edhe në një letër të nisur të dielën nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Angazhimi i këtyre tri vendeve më të mëdha të BE-së, për të siguruar rezultat konkret në dialog, ka shtuar optimizmin në Bruksel për takimin e 27 shkurtit.
Edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se pret përparim të dukshëm në këtë takim.
Përveç kësaj, propozimi i BE-së është përkrahur edhe në mënyrë kolektive nga vendet e bllokut evropian në takimin e fundit të Këshillit Evropian.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./REL