Fiks një muaj pasi ndodhi krimi i rëndë i vrasjes së një djali nga Kukësi në një nga lokalet më të njohura të Prizrenit, Gjykata vendos t`i lërë sërish në burg edhe për një muaj tjetër të akuzuarit si autorë dhe bashkëpunëtorë.
Sipas të dhënave që vijnë nga mediat e Kosovës, mësohet se të prangosurit do të jenë në qeli edhe për një muaj tjetër për shkak se nuk mund të lihet i lirë asnjë prej tyre, nga frika e ndonjë largimi nga vendi. Kështu Gjykata Themelore e Prizrenit ka lënë në paraburgim edhe për një muaj, Dribran Hoxhën dhe 5 persona të tjerë të cilët dyshohen se janë përfshirë në vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi, Visart Cengu dhe plagosjen e shokut të tij, Rufgen Shehu. Masa e paraburgimit do të vazhdojë deri në 3 mars të 2023. Shkak për masën ndaj tyre është dyshimi se të arrestuarit mund të arratisen nëse hetohen në gjendje të lirë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të datës 3 janarit 2023 në Prizren ku një konflikt i nisur fillimisht në lokalin e natës “Kobra City” ka rezultuar fatal për 31-vjeçarin nga Kukësi, Visart Cengu. Ai u qëllua me armë zjarri teksa po largohej me makinë me dy miqtë e tij nga pronari i lokalit të natës Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”.
“Kobra” njihet si një person me precedent të mëparshëm penal, pasi më parë është proceduar mbi 150 herë.
I riu nga Kukësi dhe dy miqtë e tij, Arben Basha dhe Rufgen Shehu, po largoheshin me makinë kur u qëlluan me armë zjarri e ku u plagosën Cengu, i cili humbi jetën rrugës për në spital, dhe Shehu që ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Veç Hoxhajt, janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje edhe disa persona të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen. Ndërkohë Policia bën me dije se po kryhen kontrolle në disa objekte dhe një banesë.