MENU
klinika

Analiza

Lufta në Ukrainë ka dy humbës dhe dy fitues të mëdhenj…

16.02.2023 - 10:00

Pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi rendin botëror në disa mënyra, duke përfshirë formimin e blloqeve të reja që nuk janë parë që nga Lufta e Ftohtë.

Lufta përkeqësoi tendencën ekzistuese globale për të formuar blloqe rreth Uashingtonit dhe Pekinit. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell në dhjetor të vitit të kaluar u  shpreh se gjeopolitika është kryefjala. Azia Qendrore, Kaukazi, Ballkani, Afrika dhe rajoni Azi-Paqësor janë skena e një lufte për ndikim midis fuqive të mëdha si Kina, BE, Rusia dhe Turqia, qoftë përmes financimit të projekteve të infrastrukturës ose marrëveshjeve në terren si dhe të bashkëpunimit tregtar, ushtarak apo diplomatik. Lufta në Ukrainë i përkeqësoi më tej gjërat duke dobësuar ndikimin rus në ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore dhe duke lejuar Turqinë të luante një rol të ri si ndërmjetës. “Ky riorganizim kaotik është i vërtetë, por ndoshta i përkohshëm.

Është e pashmangshme që pas përfundimit të luftës, Rusia dhe Evropa të jenë më të dobëta dhe të rraskapitura, ndërsa dy fituesit e mëdhenj do të jenë SHBA-të dhe Kina,” tha Pierre Razoux , drejtor i FMES nga Franca.

Kina duhet ta shikojë luftën në dritën e qëllimit të saj afatgjatë strategjik për t’u bërë një fuqi udhëheqëse botërore deri në vitin 2049. 

Megjithëse Pekini mbështet Moskën, ai shmang lëvizjet që mund të zmbrapsin Perëndimin. Por është shumë herët të konsiderohet mbështetja e përmbajtur e Xi Jinping për luftën e Putinit si një shenjë e distancimit nga Rusia. Lufta në fakt do të thotë se Moska rrezikon të bëhet thjesht një satelit i Pekinit. “Rusia nuk është në gjendje të negociojë me Kinën, e cila do të marrë gjithçka që do nga Rusia, pa i dhënë Rusisë armët dhe komponentët kryesorë elektronikë” tha ekonomistja Agathe Demarais.

Kremlini po mbështet në diversifikimin e lidhjeve të tij gjeopolitike, ekonomike dhe strategjike me Turqinë, Lindjen e Mesme, Iranin dhe Afrikën, në mënyrë që të kufizojë varësinë e tij nga Kina. Arsenali i madh bërthamor i Rusisë, shumë më i madh se ai i Kinës, gjithashtu e pengon atë të bëhet plotësisht i nënshtruar ndaj saj.

Kur bëhet fjalë për BE, lufta është një mundësi për të treguar se mund të veprojë si një lojtar kyç, por gjithashtu sjell rrezikun që të jetë sërish  e dyta pas Uashingtonit.

Sipas shumë politikanëve evropian, Evropa nuk po ecën shumë keq, ajo ka treguar qëndrueshmëri dhe aftësi për të reaguar shumë shpejt që nga fillimi i luftës, me ndihmën ushtarake, ndihmën për refugjatët, reduktimin e varësisë energjetike nga Rusia. Por në të njëjtën kohë ata janë të mendimit se ka dy blloqe, njëri është ai amerikan dhe tjetri kinez me aleatët e Rusisë. Por çështja për Evropën është nëse do të behët blloku i tretë  apo do të jetë aleat me SHBA-në.

Të bashkuar me Uashingtonin në mbështetje të Kievit, liderët evropianë duan të forcojnë marrëdhëniet me SHBA-në, por e kuptojnë se mund të jenë përsëri vetëm për një ose dy mandate nëse një izolacionist fiton zgjedhjet. Ish-presidenti amerikan Barack Obama parashikoi në vitin 2009 se marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës do të formojnë shekullin e 21-të, duke parashikuar një zhvendosje të vëmendjes së SHBA nga Atlantiku në Paqësor.

Por pushtimi rus i Ukrainës tregoi se shkëputja nga Evropa mund të mos jetë aq e lehtë për Joe Biden.

Komandanti i forcave tokësore franceze Bertrand Toujouse tha se Rusia po pengon kthesën amerikane drejt Kinës ndaj dhe SHBA duhet ta zgjidhe këtë çështje relativisht shpejt. “Në pushtimin e Ukrainës, mund të mësohen shumë mësime për një konflikt të mundshëm me Kinën mbi Tajvanin” tha për Financial Times komandanti amerikan në Japoni, James Bierman .

Përveç dërgimit të armëve, aleatët e Ukrainës kërkojnë të mbysin ekonominë ruse me sanksione të rënda. “Në sektorin e energjisë, ku Rusia duket e madhe, vendimi i G7 dhe BE për të kufizuar çmimin e naftës së papërpunuar shënuan fundin e tregut global për karburantet fosile, tha për AFP drejtori i Totalenergies, Patrick Pouyanne. Lufta çoi në mënyrë indirekte në një rritje të çmimeve të ushqimit, ngrohjes dhe strehimit,  tre nevojat themelore të njeriut. Veçanërisht vendet afrikane dhe të Lindjes së Mesme janë më të prekura sepse importojnë sasi të mëdha ushqimi.