MENU
klinika

Ja si pritet të rreshtohet Interi në duelin me Porton!

Lukaku-Xheko e fusin në mendime Inzagin

22.02.2023 - 14:25

Ashtu si vetë Inzagi paralajmëroi, zgjedhjet për formacionin do të bëhen në momentet e fundit para ndeshjes, por sigurisht që mbi të gjitha ka një dyshim në mendjen e trajnerit: dyshja e sulmit. Lautaro është i padiskutueshëm, por shoku i tij i repartit jo, me Lukakun e Xhekon në balotazh për një fanellë titullari.

Boshnjaku dukej favorit, por së fundmi po rriten shanset për të parë Romelun në fushë nga minuta e parë, edhe pse në fund vendimi do t’i takojë trajnerit që duhet të zgjedhë mes karakteristikave të ndryshme që i japin skuadrës sulmuesit.

Edini është padyshim arma më e fuqishme e Interit në këtë sezon në Champions, duke marrë parasysh përfshirjen e tij në 4 prej 6 golave të zikaltërve, por edhe atë që ofron ai në skenën europiane. 28 gola në 68 ndeshje në Europë e kanë bërë të jetë gjithmonë një kërcënim para portave të kundërshtarëve, por për 36-vjeçarin ka edhe disavantazhe momentale.

Xheko ka hasur vështirësi në gjetjen e vazhdimësisë kohët e fundit, ndoshta edhe nga lodhja e një sezoni që nuk e ka parë të pushojë pavarësisht moshës.

Nga ana tjetër, Lukaku po rritet pas golit të gjetur ndaj Udinezes dhe po rifiton ndjesitë e tij me golin ashtu si dhe kiminë e tij me Lautaron.

Dyshja ngjall kujtime pozitive te zikaltrit, por Inzagi e di mirë se nuk është momenti për nostalgji dhe ato që e penalizojnë 29-vjeçarin janë gabimet para porte.

Në nivele Champions-i nuk lejohet paqartësia, mbi të gjitha kur mund të sjellë mundësi për kundërsulmin dhe në fund do t’i takojë trajnerit të vendosë nga ana e kujt do të anojë peshorja.

Repartet e tjera – Vështirë se bërthama e deritanishme e mesfushës Çalhanoglu-Barela-Mikhitarian mund të preket për një rikthim titullar të Brozoviçit, për më tepër duke parë që eksperienca e armenit që do të sakrifikohej në këtë rast, është një nga pikat më të forta të Interit.

Eksperiencë në Champions po ashtu sjell edhe Andre Onana që pas Udinezes do të rikthehet në portë, me dyshimet e tjera të Inzagit që prekin qendrën e mbrojtjes, aty ku Açerbi është në balotazh me De Vrajin, ndërsa në korsi priten Dimarko e Darmian.