MENU
klinika

Prokuroria: Autori vrau veten pas krimit

Mbyllen hetimet për masakrën e Klosit

23.02.2023 - 11:03

Kur s’kanë kaluar as gjashtë muaj nga ajo që u konsiderua si një prej ngjarjeve më të rënda të vitit që lamë pas, Prokuroria mbyll hetimet. Shkak bëhet vetëvrasja e autorit të krimit të rëndë me tre të vdekur.

Ngjarja që u tha se ndodhi për sherrin e dy adoleshentëve, i nisur në rrjetet sociale dhe më pas i pasuar edhe në shkollë, grumbulloi burrat e familjeve respektive të merreshin vesh në një kafe në qytetin e Klosit, por debati degradoi në përdorimin e armës që la dy të vdekur, dy të plagosur dhe më pas autori i dha fund jetës.

Ngjarja që ende në fakt nuk ka marrë një përgjigje konkrete se për çfarë ka ndodhur realisht, mbyllet për shkak se nuk ka një person të gjallë që të akuzohet, meqë autori i krimit i dha fund jetës pak momente pas ngjarjes së rëndë. Palët mes njëri-tjetrit ishin të gjithë me lidhje dhe njohje dhe mes tyre u tha se gjendej një vajzë e mitur, e cila ishte ngacmuar dhe bullizuar në shkollë nga njëri prej djemve bashkëmoshatarë.

HETIMET
Sipas të dhënave, masakra me tri viktima, e ndodhur në muajin tetor të vitit të kaluar në qytezën e Klosit, nuk ka asnjë person përgjegjës të dërguar në bankën e të akuzuarve. Pas 6 muaj veprime hetimore, Prokuroria e Matit ka vendosur të pushojë ndjekjen penale për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Klos, duke argumentuar se personi përgjegjës që ka kryer krimin, është vetëvrarë. Ndaj, sipas legjislacionit penal shqiptar, s’mund të ushtrohet ndjekja penale për një person që ka vdekur.

Për vrasjen me armë zjarri pistoletë të babë e bir, Kenado dhe Ilir Shira, Prokuroria e Matit ka identifikuar si autor të krimit, Fiqiri Mjeshtrin. Hetimet e kryera gjatë këtyre 6 muajve, zbuluan se Fiqiri Mjeshtri rezultoi të ishte autor dhe i plagosjes së rëndë të Renato dhe Eglantin Hasula. Disa orë pas kryerjes së këtij krimi të rëndë, Fiqiri Mjeshtri ka vrarë veten me armën që realizoi dy vrasjet dhe dy plagosjet. Vetëvrasja ka ndodhur kur Fiqiri Mjeshtri ka kuptuar se ishte duke u ndjekur dhe rrethuar nga Policia. Hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Matit nuk kanë provuar implikimin e asnjë personi tjetër të armatosur, që ka sjellë vrasjen apo plagosjen e 4 personave të mësipërm.

Edhe nga verifikimi i bisedave në telefonat e protagonistëve të këtij konflikti, nuk ka sjellë asgjë të re në evidentimin e një personi të caktuar për përgjegjësinë e këtij krimi. Një takim sqarues mes 3 familjeve në Klos të Burrelit, për ngacmimin që djemtë e mitur të familjes Shira dhe Hasula i bënin përmes rrjeteve sociale vajzës së familjes Mjeshtri, ka degraduar në përdorimin e armës. Viktima 17-vjaçar Kenado Shira ishte dashuruar me vajzën 16-vjeçare të autorit të ngjarjes, Fiqiri Mjeshtri.

Babai i vajzës, Fiqiri Mjeshtri, kundërshtonte këtë lidhje intime duke kërkuar vazhdimisht që Kenado të merrte për grua vajzën e tij, kërkesë kjo që është refuzuar nga djali. Për të sqaruar situatën e kësaj lidhje intime, anëtarët e dy familjeve kanë shkuar në ambientet e një lokali në Klos për të biseduar. Fiqiri Mjeshtri kishte marrë me vete dhe dy vëllezërit, Besnik Mjeshtrin, i cili është polic bashkiak dhe Fatmir Mjeshtrin. Ndërsa 17-vjeçari, ka marrë babanë e tij, Ilir Shira dhe dy të afërmit e familjes Hasula. Por komunikimi mes tyre degradoi në ofendime dhe goditje fizike dhe përdorimin e armës. Të vdekur mbetën babë e bir të familjes Shira. Ndërsa të plagosur dy anëtarët e familjes Hasula.