Mozaiku i Tiranës është fotografuar në detaje të mahnitshme, duke përdorur teknologjinë e fundit gigapiksel.
Lajmin e dha sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se, “asnjëherë më parë Mozaiku i Tiranës nuk është parë në kaq shumë detaje”.
Kjo vepër arti historike, simbol i trashëgimisë kulturore të qytetit të Tiranës, shpaloset në hollësi dhe me ngjyra të gjalla.
Ky është një proces dokumentimi dhe digjitalizimi, që i shërben ruajtjes së trashëgimisë dhe qendrës së informimit mbi mozaikët, që po ngrihet këtu.
Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik.
Mendohet se kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj.